Lëvizja Vetëvendosje në Fushë-Kosovë, ka kritikuar qeverisjen e kryetarit të kësaj komune, Burim Berisha nga rradhët e LDK-së. Kandidati për kryetar të komunës së Fushë Kosovës nga LVV, Avni Zogiani, ka akuzuar Berishë se po e përdor buxhetin e komunës për blerjen e votës.
“Nuk është e pranueshme që në fushatë kryetari të ketë autoritet të pakufizuar për përdorimin e buxhetit me qëllim të vetëm, blerjen e votës. Një metodë tjetër e blerjes së votës është ndriçimi i rrugëve nëpër fshatra. Pas një projekti një milionësh të dështuar për ndricim, komuna siç duket, ka bërë një marrëveshje për fushatë me KEDS për lidhjen e ndriçimit në shtyllat elektrike. Më herët KEDS i ka shkëputur këto lidhje, por tashti siç duket kjo nuk do të ndodhë derisa të kalojë fushata. Komuna duhet të investojë përgjatë tërë mandatit të saj edhe atë duhet ta bëjë me një plan paraprak të shpenzimeve që aprovohet nga Asambleja”,thuhet në komunikatën e dërguar mediave nga Zogiani.
“Nuk mundet që investimet dhe donacionet e komunës të bëhen pa këtë plan dhe në varësi të nevojës e dëshirës së kryetarit. Kjo është thyerje e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe drejtësia do të duhej të bënte një hetim në keto aktivitete elektorale të kryetarit me buxhetin e komunës. Një tjetër fenomen është dhënia e donacioneve për njerëz të përfshirë direkt në fushatën e kryetarit të Komunës. Kjo është barazi me korrupsion. LVV Fushë-Kosovë është duke u munduar që në kontakt me qytetarin ta shpjegojë obligimin që Komuna ka për të investuar kurdo që ka mundësi dhe në atë që ka nevojë qytetari”
“Investimi tashti, vetëm sa ekspozon injorimin e nevojave të njerëzve për zhvillim dhe përparim të kushteve të banorëve të Komunës së Fushë-Kosovës. Për shembull, serrat që u jepen njerëzve në periudhën e tanishme të fushatës, janë të papërdorshme. Ato do t’iu shërbenin bujqëve sikur të shpërndaheshin në fillim të pranverës, e jo tashti kur ka përfunduar cikli i prodhimit”, thuhet më tej në komunikat.
Zogiani ka paralajmëruar që Vetvendosje do të ndalojë praktikën e donacioneve pa plan, dhe do të vendosë objektiva ekonomik të studiuar mirë.