“Ma keni ndalu gruan, shtrenjtë keni me pagu”, suharekasi kërcënon vjehrrin pasi u denoncua për dhunë

Prishtinë | 26 Pri 2023 | 18:49 | Nga Ekonomia Online

Një 29-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se ka kanosur familjen e gruas, pasi ajo e kishte raportuar para një jave në Polici.

Burimet brenda Prokurorisë për Sinjalin kanë bërë me dije se rasti i fundit ka ndodhur ditën e djeshme, kur i dyshuari ia ka zënë pritën vjehrrit të tij, të cilin e ka akuzuar se ata janë fajtorë për problemet që ka me gruan.

Mësohet se i dyshuari e ka akuzuar viktimën se “ma keni ndalur gruan”, duke e paralajmëruar se “shtrenjtë keni me pagu”, gjoja se për telashet që ia kanë shkaktuar.

Përballë kësaj situate dhe shqetësimit të vazhdueshëm nga i dyshuari, viktima ka vendosur që ta denoncojë rastin në Polici, ku ka rrëfyer në detaje se çka ka ndodhur që disa ditë.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku e ka mohuar që ka pasur synim që t’i kërcënojë dhe frikësojë.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kanosje”.

Të ngjashme