Samiti joformal për Ballkanin perëndimor nisi nën kryesimin e Angela Merkel dhe Emmanuel Macron.
Që të dy, para fillimit të takimit iu drejtuan shkurtë gazetarëve, pa pyetje, dhe i paralajmëruan udhëzimet e diskutimit.
Edhe kancelarja gjermane edhe presidenti francez përkujtuan se ky takim nuk i kushtohet procesit të zgjerimit, por bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes për zgjidhje të kontesteve të shumta bilaterale në rajon.
“Fokusi nuk është tek zgjerimi, por tek politika e stabilitetit në rajon. Duhet të punojmë së bashku në mënyrë që të kontribuojmë për stabilitet, kjo për Francën do të thotë strategji për angazhim të sërishëm në rajon”, tha presidenti francez.
Në kontekst të tejkalimit të kontesteve, Macron dhe Merkel i cekën shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe Marrëveshjen e Prespës si dëshmi se me vullnet politik është e mundur të tejkalohen kontestet.
“Pamë hapa të guximshëm për kontestin për emrin e Maqedonisë së Veriut, kjo është dëshmi se është e mundur të gjendet zgjidhje për konteste shumëvjeçare”, tha Merkel dhe i përshëndeti kryeministrin e Maqedonisë së veriut dhe atë të Greqisë, por edhe Bojko Borisov.
Macron nga ana e vet porositi se muajt e fundit treguan se përparimi është i mundur njëzet vite pas luftërave në rajon, shkruan Alsat-M.
“E pamë atë me Marrëveshjen e Prespës se mund të zgjidhen kontestet të cilat dukeshin si të pazgjidhshme kur ka përkushtim”, tha Macron, i cili gjithashtu i përshëndeti tre kryeministrat.
Kancelarja dhe presidenti paralajmëruan se një nga pikat kryesore të bisedës do të jenë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Si mund t’ju ndihmojmë Kosovës dhe Serbisë në tentimin për gjetje të zgjidhjes dhe, që është më me rëndësi, të parandalojmë të bëhet më vështirë për të gjetur zgjidhja apo të niset në drejtim të gabuar”, tha kancelarja Merkel para fillimit të takimit.
Për të, ky takim joformal ka për qëllim të nxitet rajoni të “zhvillohet bashkërisht”, por se nuk do të thotë se duhet të priten rezultate konkrete nga samiti i sotëm joformal.