Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi të martën se Franca ishte “vetëm në fillim” të shpërthimit të coronavirusit që ka vrarë 30 njerëz në vend dhe ka infektuar 1.606 të tjerë.
“Ne jemi vetëm në fillimin e kësaj epidemie”, citohet të ketë thënë Macron pas një vizite befasuese në shërbimin e ambulancës SAMU në spitalin Necker në Paris, shkruan France24.
Megjithatë, siç thuhet më tej, ai nxiti publikun të mos frikësohej dhe duke thënë se autoritetet ishin të mirëorganizuara për t’u përballur me krizën.
Franca është vendi i dytë me prekjen më të madhe në Evropë pas Italisë – e cila ka hyrë në mënyrë efektive në bllokim për të ndaluar përhapjen e virusit.
Masat parandaluese janë rritur gjithashtu në pallatin presidencial të Élysée, me shefin e kabinetit të Macron urdhëruar që të punojë nga shtëpia pasi kishte qenë në kontakt me një person të infektuar.
Por me vetëm një pjesë të 463 vdekjeve të raportuara nga Italia, Franca deri më tani nuk ka pranuar të marrë masat drakoniane të urdhëruara nga shteti italian.
Mbledhjet e më shumë se 1.000 njerëzve janë ndaluar që nga fundjava, duke çuar në mbylljen e muzeve – përfshirë Luvrin – dhe disa ngjarje sportive dhe koncerte. /Telegrafi/