Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se situata në Afganistan është përkeqësuar shumë dhe se ajo është jashtëzakonisht e tensionuar rreth aeroportit të Kabulit.
“Ne po përballemi me një situatë jashtëzakonisht të tensionuar”, tha Macron në një konferencë për media së bashku me kryeministrin irlandez Micheal Martin.
Presidenti francez bëri thirrje për kujdes.
Ushtria amerikane konfirmoi të enjten se një shpërthim ka ndodhur jashtë aeroportit të Kabulit në Afganistan. Ministria turke e mbrojtjes thotë se ka pasur dy shpërthime.
“Ne mund të konfirmojmë se shpërthimi pranë aeroportit të Kabulit ka rezultuar me një numër të panjohur viktimash”, tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby në një postim në Twitter.
Agjencia Reuters citon një zyrtar amerikan të ketë thënë se sipas një raporti fillestar shpërthimi është shkaktuar nga një sulmues vetëvrasës, por ai paralajmëroi se ky informacion mund të ndryshojë.
Presidenti amerikan, Joe Biden është informuar për incidentin, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Ka pasur disa raportime për të shtëna me armë.
Një zyrtar taliban ka thënë se të paktën 11 persona janë vrarë në sulmin në aeroportin e Kabulit. Zyrtari tha se në mesin e viktimave kishte gra dhe fëmijë dhe se një numër i rojeve talibane ishin plagosur. Ky informacion nuk është konfirmuar.
Ndërkohë mediumi Tolo News i Afganistanit raportoi se një numër i të plagosurve nga shpërthimi janë transportuar në një spital lokal.