Macroni paralajmëron se Evropa është në një “pikë kthese në histori”

Prishtinë | 06 Mar 2025 | 08:06 | Nga Ekonomia Online

Udhëheqësit e vendeve të BE-së do të mblidhen të enjten në Bruksel për një takim të posaçëm rreth mbrojtjes, përderisa presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi se kontinenti është në një “pikë kthese në histori”.

Përpos armatosjes, udhëheqësit pritet të diskutojnë edhe për atë se si BE-ja mund ta përkrahë më tej Ukrainën përballë njoftimit të së hënës të presidentit amerikan, Donald Trump, se ai do ta pezullojë ndihmën ushtarake për Ukrainën. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është i ftuar në samitin e udhëheqësve evropianë, raporton televizioni BBC.

Si shenjë e shqetësimit të thellë, Macroni tha se Franca është e hapur për ta zgjeruar mbrojtën e ofruar nga arsenali i saj bërthamor edhe për partnerët evropianë, gjatë një adresimi para popullit të mërkurën.

Evropa është duke u ballafaquar me një “rrezik të qartë e të pranishëm në një shkallë që asnjëri nga ne nuk e ka parë në jetën tonë të moshës së rritur” – tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se ky është një “moment përcaktues për Ukrainën dhe sigurinë evropiane”.

Të hënën, zonja Von der Leyen njoftoi një pako të pashembullt të mbrojtjes, të quajtur “ReArm Europe”, dhe tha se kontinenti është gati që në mënyrë masive t’i rrisë shpenzimet e mbrojtjes “me shpejtësinë dhe ambicien që nevojiten”.

Në tri propozimet e paraqitura përfshihet lejimi i shteteve që ta rrisin nivelin kombëtar të deficitit për t’u dhënë më shumë hapësirë shpenzimeve të mbrojtjes, 150 miliardë euro hua për investime në mbrojtje në fusha ku do të mund të përfitonte BE-ja si tërësi si dhe lejimi i shteteve që t’i ridestinojnë fondet e ndara për programe të politikave kohezive.

Edhe Bankës Evropiane të Investimeve do t’i lejohet që të financojë projekte ushtarake.

Sipas zonjës Von der Leyen, me këtë plan do të mund të lirohen gjithsej 800 miliardë euro për shpenzime të mbrojtjes.

Të ngjashme