Madonna ka ndërmarrë një aksion bamirës për të ndihmuar jetimët dhe fëmijët tjerë në Malawi.
Secili dollar i dhënë do të shkojë drejtpërdrejt për ushqim, shkolla, uniforma dhe shëndetësi – ndërsa ky aktivitet i saj është ndërmarrë në kuadër të festimit të ditëlindjes së 60-të të Mbretëreshës së muzikës pop.
Në një prononcim për AP, këngëtarja ka thënë se për këtë aksion është bashkuar me Facebookun dhe do të zgjasë deri më 31 gusht.
Dhurimet e tyre fansat mund t’i bëjnë drejtpërdrejt në faqen e Madonnas në Facebook ose të nisin iniciativa personale për grumbullimin e mjeteve në këtë rrjet social.
Fondet e grumbulluara do t’i jepen Fondacionit Raising Malawi, ndërsa kompania Ripple ka premtuar të japë shumën e njëjtë të parave për çdo donacion.
Ikona e muzikës pop, e cila i ka adoptuar katër fëmijë nga Malawi, është themeluese e Fondacionit Raising Malawi që ndihmon në zgjidhjen e problemeve të varfërisë dhe vështirësive që kalojnë fëmijët varfër dhe jetimët në atë vend.
Madonna Louise Ciccone ka lindur më 16 gusht të vitit 1958 dhe krahas të qenit këngëtare, është edhe kompozitore, aktore dhe sipërmarrëse e suksesshme.