Festivali i cili vë në qendër të vëmendjes pianon e përmbylli edicionin e tij të 9-të me dy vepra madhore. Pianisti italian Giovanni Bellucci, i cili konsiderohet të jetë një ndër pianistët më të mirë të kohës, u ngjit në skenën e “Sallës së Kuqe” bashkë me orkestrën e Filarmonisë së Kosovës, në mbrëmjen që i dha fund maratonës së koncerteve që “Chopin Piano Fest” solli këtë vit.
Bellucci me lojën e tij plot pasion dhe përkushtim, e ktheu publikun në kohën e artë të pianos, duke sjellë një vepër nga kompozitori i tij i preferuar: Beethoveni. I veshur me smoking të zi, zuri vend para instrumentit, që ndryshe ai e quan “makinë” dhe përktheu notat e veprës në melodi. Solli veprën “Koncert për piano dhe orkestër nr.4 në g-dur, op.58”.
“Publiku do të ketë rast të bindet që kemi të bëjmë me një kalibër të veçantë”, kishte thënë drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, në një konferencë për media një ditë para koncertit. Dhe publiku është bindur për këtë.
Edicioni i nëntë i festivalit “Chopin Piano Fest” nisi më 5 prill. Gjatë këtyre ditëve festivali organizoi 14 koncerte, duke sjellë kështu muzikantë nga Portugalia, Franca, Kroacia, Austria, Hungaria, Italia, Maqedonia, Shqipëria e Kosova.