Ambasadori shqiptar, Arben Malaj, ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë thjesht diplomatike, pasi këto marrëdhënie janë farkëtuar si pjesë e historisë së përbashkët.
Ai i bëri komentet në seancën solemne të mbajtur nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, me rastin e Ditës së Flamurit.
Seanca filloi me intonimin e himneve, atij kombëtar e shtetëror të Kosovës.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, në këtë seancë festive, tha se Dita e Pavarësisë së Shqipërisë është simbol i shpirtit të qëndrueshëm që na bashkon si popull.
Sipas tij, me këtë rast konfirmohet mbështetja e palëkundur e shtetit shqiptar për sovranitetin dhe prosperitetin e Kosovës, duke shtuar se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve nuk janë thjeshtë diplomatike, por marrëdhënie të farkëtuara si pjesë historisë së përbashkët.
“Sot ne jo vetëm që festojmë Pavarësinë e Shqipërisë, por edhe solidarizohemi me vëllezërit dhe motrat tonë në Kosovë që kanë treguar gjithmonë vendosmëri dhe guxim të palëkundur. Dita e Pavarësisë së Shqipërisë është më shumë se një ngjarje historike, është simbol i shpirtit të qëndrueshëm që na bashkon si popull”.
“Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë thjesht diplomatike, kjo marrëdhënie është e farkëtuar si pjesë e historisë së përbashkët. Ne sot po shënojmë Pavarësi e Shqipërisë rikonfirmojë mbështetjen tonë të pa lëkundur për sovranitetin dhe prosperitetin e Kosovës tonë të dashur. Le të reflektojmë edhe për ruajtjen e lirisë së fituar”.
“Qytetarët tanë në Kosovë dijeni që Shqipëria qëndron me ju, jo vetëm sot por çdo ditë. Le të vazhdoj kjo marrëdhënie e vëllazërisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”, tha ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se kjo datë është një testament i gjallë i qëndrueshmërisë së shqiptarëve, ku me këtë rast edhe bëri thirrje që luftërat në botë të përfundojnë dhe se botës i duhet paqja, raporton EO.
“28 nëntori për ne është shumë më shumë se sa një datë, sepse është një testament i gjallë i qëndrueshmërisë sonë, shpallje e pavarësisë e festë e lirisë. Ky është manifestimi i identitetit tonë”.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci tha se 28 nëntori është festa që shqiptarët i bënë një. Ai tha se kjo është një ditë e bekuar e cila do të mbete simbol i bashkimit të shqiptarëve anë e këndë botës.


