Malaj thirrje turistëve: Pajisuni me mjetet e domosdoshme dhe shijoni Kosovën në mënyrë të sigurt

Prishtinë | 08 Jan 2026 | 16:18 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj u ka bërë thirrje turistëve shqiptarë që vizitojnë trojet kosovare për kujdes të shtuar gjatë vozitjes.

Përmes një postimi në Facebook, ai apeloi tek turistët që gjatë sezonit dimëror automjetet t’i pajisin me goma dimri dhe zinxhirë.

“Shumë qytetarë nga Shqipëria vijnë këto ditë në Kosovë për punë, por sidomos për turizëm, për të shijuar bukurinë e peizazhit dimëror dhe për të skijuar në zonat malore të Kosovës. Bëni shumë mirë që zgjidhni Kosovën! Megjithatë, kjo është një thirrje dashamirëse për kujdes: Gjatë këtij sezoni është e domosdoshme që automjetet të jenë të pajisura me goma dimri dhe zinxhirë”, ka shkruar ai.

“Shumë prej jush udhëtoni me familje apo në grupe dhe kurrsesi nuk duhet të rrezikoni. Rreziku nuk është vetëm për veten dhe familjet tuaja, por edhe për të tjerët që qarkullojnë në rrugë. Shpeshherë, për shkak të mungesës së pajisjeve të duhura, mbetja në rrugë pengon edhe qarkullimin e të tjerëve. Prandaj, bëni kujdes, planifikoni udhëtimin me përgjegjësi dhe shijoni Kosovën në mënyrë të sigurt. Mirë se vini dhe udhëtim të mbarë!”

Të ngjashme