Mali i Zi dhe Turqia zotohen për fuqizim të raporteve

Prishtinë | 12 Shk 2020 | 09:51 | Nga Ekonomia Online

Ministrat e Jashtëm të Malit i Zi dhe Turqisë thanë se marrëdhëniet midis dy vendeve të tyre janë të mira, por megjithëkëtë ata u zotuan të forcojnë më tej lidhjet ekonomike dhe të sigurisë, si dhe bashkëpunimin në fusha si arsimi, kultura, kujdesi shëndetësor dhe turizmi.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, tha më 11 shkurt, gjatë një vizite në Podgoricë, se Ankaraja është e kënaqur që kompanitë turke po kërkojnë gjithnjë e më shumë për të investuar në Mal të Zi.

Diplomati i lartë i Turqisë e quajti Malin e Zi një vend të rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit.

Të dyja vendet janë anëtare të NATO-s – Mali i Zi u bashkua në vitin 2017, ndërsa Turqia e bëri këtë në vitin 1952 – dhe të dyja kanë aspirata të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, megjithëse përpjekja e Podgoricës është më përpara sesa ajo e Ankarasë.

Muajin e kaluar, Cavusoglu i kërkoi BE-së që të heqë “ndarjen artificiale” midis Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në politikën e zgjerimit të bllokut.

“Të gjitha vendet duhet të trajtohen në baza të barabarta”, i shkroi ai shefit të politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Turqia filloi bisedimet e pranimit në BE më 2005.

Nën udhëheqjen e presidentit, Recep Tayyip Erdogan, Ankaraja ka shtuar përpjekjet e saj për të rritur ndikimin e në Ballkan, ku shumë prej vendeve kanë lidhje historike dhe fetare me Turqinë që nga shekujt e sundimit otoman.

Rreth 20 për qind e popullsisë së Malit të Zi është myslimane.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme