Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë ndaluar fluturimin e avionit që do të lejonte ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov ta vizitonte nesër Beogradin, sipas Danas, transmeton Paparaci.
Në të njëjtën kohë, zyra e presidentit të Serbisë ka njoftuar se nesër Aleksandar Vuçiq në orën 10:00 do të takohet me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Kharchenko.
Kryediplomati rus pritet ta vizitojë Serbinë më 6 dhe 7 qershor, teksa janë planifikuar takime me Aleksandar Vuçiqin dhe ministrin serb, Nikola Selakoviq.
Po ashtu, është thënë se ministri rus Lavrov do ta takojë kryeparlamentarin serb, Ivica Daçiq dhe patriarkun e Kishës Ortodokse serbe.
Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq deklaroi sot se situata rreth mbërritjes së ministrit të Jashtëm rus në Beograd është “jashtëzakonisht e komplikuar” dhe se Vuçiq po merret me logjistikën e udhëtimit të tij.
“Është vërtet e pabesueshme që situata në Evropë dhe në botë është e tillë që presidenti i një vendi duhet të merret me gjëra të tilla, siç është logjistika e udhëtimit të një ministri të jashtëm, që përcakton nëse ai do të vijë apo jo”, tha Brnabiq për Pink TV dhe shtoi se ka pasur probleme me “mbi fluturimet”.
Aleksandar Vuçiq, dy ditë më parë tha se vizita e Sergej Lavrov tashmë është planifikuar dhe se rezultati i vizitës është i pasigurt derisa të realizohet.
Ai shtoi se nuk përjashton që vizita e Lavrovit në Beograd, mund të rrezikojë vizitën e kancelarit gjerman Olaf Scholz.