Ndonëse nuk e ka luajtur asnjë ndeshje në edicionin e ri, sulmuesi Fatos Beqiraj vazhdon të jetë i rëndësishëm për Përfaqësuesen e Malit të Zi në futboll.
Beqiraj, 30-vjeçar, të hënën është ftuar nga Mali i Zi për ndeshjet e shtatorit. Në kuadër të Ligës së Kombeve të UEFA-s, Mali i Zi takohet me Rumaninë dhe Lituaninë.
Beqiraj zyrtarisht është pjesë e skuadrës belge Mechelen.
Por nuk figuron në listën e lojtarëve të skuadrës së parë të këtij klubi.
Mecheleni dështoi të sigurojë ekzistencën në elitën e futbollit belg dhe Beqiraj pritet të kalojë në ndonjë skuadër tjetër.
Gjatë verës është raportuar për mundësinë që ai të transferohet në Turqi, por një lëvizje e tillë nuk u realizua.
Sulmuesi pejan te Mecheleni ishte transferuar në fillim të vitit nga Dinamo Moska, ndërsa lëvizja doli të ishte plotësisht e gabuar.
Për Mechelenin luajti vetëm katër ndeshje, pa ia dalë të lërë gjurmë. Por për dallim nga skuadra e fundit, Beqiraj te Mali i Zi është titullar i padiskutueshëm.
Ai ka karrierë të gjatë te skuadra si Buduqnost, Dinamo Zagreb, Changchung Yatai, Dinamo Minsk, Dinamo Moskë.