Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi, ka pritur sot në takim pune drejtorin e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Jovo Pajoviq me bashkëpunëtorë, ku në fokus kishte bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Malit të Zi lidhur me vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e të drejtës në pension për qytetarët e të dyja vendeve.
Zv.ministri Kamberi shprehi gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me ekspertët e Malit të Zi duke e nënkuptuar si çështje me rëndësi të veçantë atë të pensioneve, e cila sipas tij, rregullon përherë njohjen dhe konfirmimin e stazhit të punës për shtetasit e Kosovës që kanë punuar në Malin e Zi dhe anasjelltas.
“Kjo çështje në vazhdim do të avancohet edhe më tutje dhe unë besoj se do ta kemi interesin e Qeverisë së Malit të Zi dhe Fondit Pensional atje, sepse ne realisht kemi filluar nga zeroja duke pasur parasysh se nuk kemi trashëguar asgjë nga fondi i ish-Jugosllavisë, prandaj praktikat e mira nga Mali i Zi por edhe të vendeve të rajonit do të jenë të mirëseardhura” ka thënë zv.ministri Kamberi.
Ndërkaq nga ana e përfaqësuesve malazez u konfirmua edhe njëherë mbështetja që do t’i japin kësaj çështje edhe më tutje dhe u zotuan se bashkëpunimi mes ekspertëve të të dyja vendeve do të fillojë menjëherë në mënyrë që sa më shpejt ta kenë të realizuar të drejtën në shfrytëzimin e pensionit, që do të ndikonte pozitivisht në përkujdesjen institucionale dhe mirëqenien e qytetarëve të të dyja vendeve.