Politologu Agon Maliqi, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, thënë se Kosova rrezikon ta humbasë në paqe atë që e fitoi me shumë mund në luftë duke i dhënë edhe disa argumente pse kjo mund të ndodhë.
“Nëse i lexoni komentet e militantëve drejtuar Kris Hillit dhe zyrtarëve perëndimorë, Kosova duket se është nisur në rrugën e njëjtë të çmendurisë kolektive sovraniste dhe keqkuptimit të momentit gjeopolitik. Kosova me këtë qasje rrezikon ta humbasë në paqe atë që e fitoi në luftë.” – ka shkruar ai.
Maliqi ka theksuar se në vitet ’90, për botën Kosova ishte çështje pak a shumë e mbyllur nga kuptimi i sovranitetit dhe njohjes ndërkombëtare.
“Të gjithë ia pranonin atë ligjërisht Serbisë nga mënyra se si u vendos për shpërbërjen e Jugosllavisë mbi bazën e Komisionit të Badinterit. Neve perëndimorët na e bënin rrafsh e na jepnin shpresë për të na mbajtur në kurs të paqes, por maksimumi mendonin se dikur mund të kthehej ndonjë lloj autonomie”, ka shkruar Maliqi.
Ai theksonte që Serbia e kishte keqkuptuar momentin gjeopolitik, duke ngritur paralele me Kosovën dhe keqkuptimin eventual që mund të ndodhte nga Qeveria Kurti.
Sipas tij “ky lloj “sovraniteti” dhe “legaliteti” i Serbisë ishte i paqëndrueshëm sepse shqiptarët nuk e pranonin atë dhe Serbia, sidomos pas paraqitjes së UÇK, nuk kishte kontroll efektiv mbi territorin. Ajo u mundua ta “zgjidh” këtë problem me dhunë dhe përdorte argumente të ngjashme si këto të sovranistëve tanë legalistë, të tipit “kemi të drejtë të bëjmë çfarë të duam në këtë territor që na e keni njohur si tonin,” ka shkruar ai.
Tutje Maliqi thotë se Serbia dështoi jo vetëm për shkak të rezistencës tonë por mbi të gjitha sepse e keqkuptoi momentin gjeopolitik dhe kishte kuptim legalist e absolutist të konceptit të sovranitetit, i cili mund të kufizohet nga fuqitë nëse shkakton pasoja më të gjëra të sigurisë apo shkakton pasoja humanitare.