Në vazhdën e mbështetjes për komunat e Kosovës, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka nënshkruar sot marrëveshje me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj për nisjen e ndërtimit të Inkubatorit të Biznesit në këtë komunë.
Shala ka thënë se qëllimi i kësaj marrëveshje është ndihma ndaj komunave që bizneset të kenë kushte dhe mundësi më të mirë për ta zhvilluar veprimtarin e tyre.
Shala ka thënë se ky nuk do të jetë projekti i vetëm në Komunën e Malishevës, por edhe në komunat tjera do të ketë iniciativa të tilla.
“Çdo ditë po punojmë që bizneset tona të kenë kushte dhe mundësi të operimit më të mira. Iniciativat të ngjashme nuk do të ndalen me kaq, por do të vazhdojnë edhe në komunat tjera. Jam i lumtur që sot nënshkrova një marrëveshje për nisjen e ndërtimit të Inkubatorit të Bizneseve në Komunën e Malishevës dhe së shpejti do të nisin edhe punimet. Ky inkubator do të jetë një mundësi e mirë për të rinjtë e Kosovës që idetë e tyre t’i bëjnë realitet”, ka thënë Shala.
Ndërsa kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka falënderuar Shalën dhe e ka quajtur lajm të mirë për bizneset nisjen e ndërtimit të inkubatorit.
Begaj është zotuar se do t’i kryejnë të gjitha detyrat që janë të përcaktuara me kontratë dhe të jetësohet sa më shpejt projekti.