Në kuadër të përkrahjes për bujqit lokal, Komuna e Malishevës, sot ka ndarë 70 makina mjelëse për fermerët, transmeton Koha.net.
Kjo përkrahje e komunës, është në vazhdën e përkrahjes së vazhdueshme në sektorin e bujqësisë, që sipas nënkryetarit të Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, sektori i bujqësisë, do të vazhdojë të mbetet prioritet për qeverisjen komunale.
“Bujqësia duhet dhe është prioritet i qeverisë komunale dhe këtë lloj të përkrahjes do ta keni edhe në vitet në vijim. Ju uroj që në rend të parë të keni shëndet dhe ti gëzoni këto makina, të cilat padyshim që ju nevojiten”, tha mes tjerash nënkryetari Berisha, gjatë ndarjes së makinave mjelëse për fermerët e Komunës së Malishevës.
Nga ana tjetër, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Murat Hoxha, i cili gjithashtu i ka uruar fermerët, ka thënë se drejtoria që ai drejton, është duke u munduar që në vazhdimësi të siguroj përkrahje, si në mekanizëm për fermerët, ashtu edhe me subvencione tjera, në mënyrë që fermerëve t’i lehtësohet puna e përditshme, sepse bujqësia vazhdon të mbetet fusha kryesore e zhvillimit ekonomik.
Sipas Hoxhës, në këtë projekt, janë përkrahur 70 fermerë ose pronarë të fermave të mëdha apo të vogla, me makina mjelëse, ndërsa vlera totale e këtij projekti është 11,830 euro.