Maloku flet për komentet nga Thaçi e Krasniqi mbi intervistat e tij

Prishtinë | 25 Mar 2025 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naim Maloku, tha para Dhomave të Specializuara se Hashim Thaçi i ka folur një herë lidhur me një intervistë të tij ku Maloku kërkonte që të institucionalizohej UÇK-ja.

Ai ka deklaruar se gjatë luftës e takoi Thaçin tri herë. Sipas tij, hera e parë ishte në Prapaqan në gusht të ‘98-s, hera e dytë në Kleçkë po ashtu në gusht dhe në tetor të ’98-s në në Lladrovc. Ai tha se në Kleçkë, Thaçin e mori Ismet Jasharin (i njohur si komandant Kumanova).

Në këtë rast tha se bisedoi vetëm me Jasharin me të cilin foli për mbrojtjen e pozicioneve të UÇK-së në Luzhnicë në mënyrë që të mos depërtojnë forcat serbe në Kleçkë. U shpreh se nga tri herët kur është takuar me Thaçin, ai foli vetëm në Kleçkë.

“Atëherë e ka pasur intervistën time në ‘Kombi’ dhe ka thënë se kam thënë fjalë shumë të mira në të. Pra më ka lavdëruar se kam thënë shumë gjëra të mira në atë intervistë, por që me disa gjëra nuk pajohej”, tha Maloku. Tek iu përgjigj pyetjeve të prokurorisë lidhur me këtë bisedë ai tha se Thaçi e as ai nuk elaboruan më tutje mbi intervistën e dhënë për gazetën “Kombi”.

Në këtë intervistë ai tha e promovoi institucionalizimin e UÇK-së, bashkimin e saj me strukturat e ministrisë e Mbrojtjes që udhëhiqeshin nga qeveria në ekzil (kryesisht e përbërë nga përfaqësues të LDK-së). Dëshmitari Maloku e konfirmoi edhe një intervistë ku kishte deklaruar se “ushtria është e popullit e shteti i takon kryetarit të shtetit presidentit Ibrahim Rugova”.

Prokurori James Pace ia paraqiti atij edhe një intervistë që ia kishte dhënë Deutche Welle-s, të cilën e kishte kritikuar Jakup Krasniqi në një intervistë për Kohën Ditore, ku tha se kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës armiku po përpiqet që të përhapë rrjetën e merimangës e cila fatkeqësisht mund të gjenden edhe ish-oficerët e Armatës Jugosllave “që kanë vështirësi ta pranojnë tranzicionin nga mercenarë në luftëtarë të lirisë” dhe se nuk ka pse të jepet koment mbi një intervistë që e ka dhënë një person i papërgjegjshëm dhe i paautorizuar.

Megjithatë, ai tha se asnjëherë nuk ka folur me Jakup Krasniqin lidhur me intervistat e tij. Por, në telefon tha se e pati një rast kur foli me Hashim Thaçin në telefon, e ku iu kërkua të mos deklarohej për mediat.

“Me telefonin e (Jakup) z.Krasniqi më kanë kërkuar të shkoj në zyrë dhe jam dëgjuar me z. Thaçi… (v.j Folën lidhur me intervistën që ja dhashë) ‘Kosovës Sot’ më 28 nëntor doli numri festiv ’98…Ai tha që është mirë të mos prononcohem më për gazeta… Më tha që është mjaft më me paraqitjet në intervista, në gazeta. Nuk ka pasur tjetër ndonjë. Unë i thashë që kur të vini këtu ne mund të debatojmë rreth përmbajtjes dhe arsyeve që më kanë shtyrë të jap një intervistë të tillë. Mua më takuan gazetarët në Dragobil dhe unë jam takuar rastësisht me ta dhe e dhashë një intervistë”, tha dëshmitari.

Maloku u shpreh se mendon që Thaçi nuk pajtohej me ndonjë pjesë të intervistës.

“E kam kuptuar vetëm që ndonjë mos-pajtim me ndonjë pjesë apo fjali të intervistës përndryshe dua t’ju them juve dhe gjykatës që atë intervistë e ka përkrahur shefi i shtabit (Bislim Zyrapi v.j) dhe Sali Veseli që ishte shefi im. Kemi diskutuar për atë intervistë edhe para se të më thërrasë Thaçi”, tha dëshmitari.

Një ditë më parë, dëshmitari Naim Maloku tha se përçarja mes UÇK-së dhe forcave si ato që u themeluara prej Ministrisë së Mbrojtjes (FARK), i shkaktuan dëme të mëdha luftës çlirimtare.

Sipas dëshmitarit institucionalizimi ishte formë më e mirë që do ta shpejtonte njohjen ndërkombëtare të UÇK, meqë siç tha ai luftërat nisin me pushkë por përfundojnë në tavolina bisedimesh.

Të ngjashme