Maloku: Shtesat para zgjedhjeve nuk e ndryshojnë vullnetin e votuesit

Prishtinë | 25 Dhj 2025 | 13:58 | Nga Gzim Mujaj

Politologu Albinot Maloku ka vlerësuar se shpërndarja e shtesave prej 100 eurosh për fëmijët dhe pensionistët, e vendosur vetëm disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, nuk pritet të ketë ndikim të madh në orientimin e votës së qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

Duke komentuar vendimin e qeverisë në detyrë, Maloku ka theksuar se ndihmat ad hoc me karakter social, megjithëse të mirëpritura në kushtet e krizës financiare, mbeten veprime kontradiktore me qëndrimet e mëhershme politike.

“Fatkeqësia është te fakti që njeriu i cili ka kundërshtuar më përpara veprimet kur janë bërë para fushatës të tipit ndihmesës ekonomike, sot po i vepron të njëjtat gjëra. Ndërsa ndihmesa ad hoc me konotacion social për kategoritë e caktuara në Kosovë gjithsesi që është e mirëpritur për arsye të krizës së fuqishme financiare që është prodhuar në një politikë jo të shëndetshme në katër vitet e fundit”, tha ai.

Maloku ka shprehur skepticizëm se këto masa mund të ndikojnë drejtpërdrejt në bindjen politike të votuesve, duke theksuar se qytetarët tashmë kanë formuar qëndrimet e tyre.

“Për rrjedhojë, a ka mundësi që të ndikojë tek votuesi kjo situatë e ndihmesës për kategoritë e caktuara në Kosovë, unë nuk jam shumë i besimit. Ata të cilët kanë bërë këtë veprim e mendojnë edhe shpresojnë fuqishëm që do të orientojë votën e qytetarit. Mirëpo unë kam një respekt shumë më të madh për qytetarin duke besuar fuqishëm që, megjithatë, tek bindjet e tyre politike ky veprim ad hoc i ndihmës sociale nuk besoj që do të ketë ndikim aq të madh”, tha ai.

Katër ditë para zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat mbahen më 28 dhjetor, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se qeveria ka vendosur për shpërndarjen e shtesave të fundvitit prej 100 eurosh për fëmijët dhe pensionistët.

“Sikurse çdo vit, edhe sivjet kemi vendosur të mbështesim fëmijët dhe pensionistët me shtesat e fundvitit prej 100 eurove”, ka shkruar Kurti në “Facebook” të mërkurën në mbrëmje, duke shtuar se mjetet do të procedohen para natës së Vitit të Ri.

Të ngjashme