Maloku thotë se dhjetorin e 1998-ës e llogaritë si periudhë të formimit të Shtabi të Përgjithshëm

Prishtinë | 25 Mar 2025 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

Dëshmitari Naim Maloku deklaroi para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, se ai si ushtarak e llogaritë ekzistimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që nga mbledhja e parë e kësaj strukture në dhjetor të vitit 1998.

Në këtë mbledhje, sipas dëshmitarit, u caktua shefi i Shtabit dhe drejtorët e drejtorive të kësaj strukture, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë si ushtarak e kam kuptu që mund të quhet Shtab prej dhjetorit të ’98-ës, që nga mbledhja e parë që janë bërë drejtoret e drejtorive dhe shefi i Shtabit”, tha Maloku.

Sipas tij, prej atij momenti ka filluar funksionimi dhe Drejtoria e Operative e kësaj strukture ka filluar komunikimin me zonat.

“Unë e konsideroj që prej atij momenti ka fillu me funksionu një Shtab që ka seli dhe që Drejtoria Operative ka fillu me komuniku me zona operative”, tha Maloku.

Dëshmitari shtoi se nuk e di që ka pasur Drejtori të Policisë Ushtarake para formimit të Shtabit të Përgjithshëm përkatësisht përpara dhjetorit të 1998-ës. 

Të ngjashme