Kosova jo vetëm që po krijon kushte për bashkëjetesë me komunitetet pakicë, por komunat e vogla ku jetojnë pakicat po shndërrohen edhe në minishtete të pakicave.
Ndonëse me Kushtetutën e Kosovës, Neni 6 (Simbolet) thuhet se flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, të cilat pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj, simboleve të Kosovës në Mamushë iu qëndrojnë kudo përkrah ato të Turqisë.
Dikur një fshat i vogël në jugperëndim të Kosovës, Mamusha tani është shndërruar në “Turqi të vogël”. Në fillim të hyrjes së këtij qyteti të duhet pak kohë të përcaktohesh se ku ndodhesh.
Rrugët janë të emërtuara vetëm në turqisht (Pasha, Cumhuriyet, Yildiz, Harmanlik, Baglik, Saat Kulesi, Lale…), mbishkrimet e dyqaneve, barnatoreve, bizneseve po ashtu në turqisht, edhe emrat e shkollave ku fillorja quhet “Anadolu”, si dhe “Ataturk” e mesmja….
E arrin të të bind se je në Kosovë vetëm flamuri i Kosovës në rrethrrotullimin para se të arrish në atë që quhet “qendër e qytetit”, ku qëndron ngjitur edhe flamuri i Turqisë.