Nga gjithsej dy ndeshjet e zhvilluara gjatë turneut parasezonal në Australia, Manchester Unitedi i ka shënuar po aq fitore. Së fundi, skuadra e Ole Gunnar Solskjaer triumfoi kundër Leeds Unitedit me rezultat bindës.
Manchester Unitedi shënoi fitore me rezultat 4:0 në ndeshjen e sotshme kundër Leeds Unitedit, në stadiumin “Optus” në Australi, falë golave të shënuar nga Mason Greenwood dhe Marcus Rashford në pjesën e parë, dhe Phil Jones e Anthony Martial në pjesën e dytë.
Trajneri Ole Gunnar Solskjaer do të ketë mbetur i kënaqur me paraqitjet e 22 lojtarëve të tij të cilët luajtën sot në këtë ndeshje miqësore gjatë dy pjesëve. Norvegjezi vendosi t’i bëjë 11 ndryshime pas pjesës së parë në formacion për t’i provuar të gjithë lojtarët.
Përkundër që Paul Pogba mund të jetë në dyshime për të ardhmen e tij në “Old Trafford”, ai ka qenë mbresëlënës në të dyja paraqitjet e tij gjatë këtij turneu parasezonal, duke kontribuar në të dyja ndeshjet me asiste.
Ndërsa, sa i përket të rinjve, Solskjaer nuk do ta nënvlerësojë ndikimin që ata e kanë pasur gjatë këtyre dy ndeshjeve. Andreas Pereira ka qenë në formë të mirë dhe Mason Greenëood e ka marrë vëmendjen me golin e tij të parë për ekipin e parë.
Edhe dy lojtarët e sapo transferuar te “Djajtë e kuq”, Daniel James dhe Aaron Wan-Bissaka – e kanë dëshmuar talentin e tyre dhe tifozët e Manchester Unitedit do të shpresojnë se ata do ta bëjnë të njëjtën gjë edhe kur të fillojë sezoni 2019/20.