Dy mediume të mëdha në Britani të Mëdha, Sky Sports dhe The Sun, raportojnë se Manchester Unitedi ia ka bërë një ofertë prej 30 milionë funtesh Birminghamit për transferimin e Jude Bellinghamit.
Ylli i ri e i talentuar i Birmighamit, Jude Bellinham, e ka bindur Manchester Unitedi t’i shpenzojë 30 milionë funte për të, falë paraqitje që i ka bërë këtë sezon, përkundër moshës së tij të re.
Mesfushori 16-vjeçari bëri emër në Angli këtë sezon me paraqitjet e tij dhe Djajtë e Kuq raportohet se tani duan ta marrin atë për ta testuar se a është i gatshëm të luajë në nivelin elitar të futbollit në Angli, në Premierligë.
Megjithatë, Manchester Unitedi s’do ta ketë të lehtë ta sigurojë transferimin e Bellinghamit, pasi që për të janë interesuar edhe Barcelona, Bayern Munichu, Borussia Dortmundi, Liverpooli dhe disa klube të tjera të mëdha të Evropës.
Bellingham vazhdon të paguhet si nxënës, vetëm 145 funte në javë, mirëpo ai do të ketë mundësi të nënshkruajë kontratë profesionale me ofertë më të mirë sapo t’i mbushë 17 vjeç, më 29 qershor.
Ai i ka bërë gjithsej 25 paraqitje në Championship, nivelin e dytë të futbollit në Angli, këtë sezon, në të cilat ka kontribuar me katër gola dhe i ka krijuar 13 raste për bashkëlojtarët e tij.
Birminghami është nën presion të fitojë para pasi që sezonin e kaluar u dënua me nëntë pikë për shkeljen e rregullave për përfitime dhe qëndrueshmëri.