Shpresat e Real Madridit për ta transferuar Paul Pogban po shuhen pasi që fundi i afatit kalimtar të verës në Premierligë, më 8 gusht, po afrohet çdo ditë dhe Manchester Unitedi insiston të mos e shesë mesfushorin.
Përgjigja e fundit e “Djajve të kuq” ka qenë kërkesa për 200 milionë euro për fituesin e Kupës së Botës, një shifër që është shumë përtej asaj që Real Madridi është i gatshëm ta paguajë.
Kjo kërkesë e bën të qartë se drejtuesit e klubit anglez nuk duan ta shesin francezin pasi që trajneri Ole Gunnar Solskjaer e konsideron atë si lojtarin kryesor për të ardhmen e skuadrës.
Pogba po vazhdon të stërvitet me Manchester Unitedin dhe nuk ka shfaqur asnjë shenjë se është i gatshëm ta sforcojë ndonjë largim nga klubi, e madje edhe mund ta mbajë shiritin e kapitenit gjatë turneut parasezonal në Australi.
Ai është shumë i vetëdijshëm se për të pasur mundësi më të mirë për t’iu bashkuar Real Madridit, duhet të sillet mirë që të mos i zemërojë drejtuesit e klubit anglez, të cilët e kanë në dorë të ardhmen e tij.
Në anën tjetër, as trajneri Zinedine Zidane nuk mund t’i fajësojë drejtuesit e Real Madridit se nuk ia plotësuan dëshirën për ta transferuar Pogban, pasi që madrilenët tentuan, mirëpo anglezët nuk duan as të negociojnë për një transferim të tillë.
Vetë Pogba e kishte kërkuar një ndryshim në karrierën e tij dhe një sfidë të re. Atij do t’i pëlqente të luante nën drejtimin e Zidane, megjithatë që prej deklaratës së tij të muajit të kaluar, Pogba ka qëndruar i heshtur dhe i ka shijuar përgatitjet parasezonale me “Djajtë e kuq”.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, do të takohet me Jose Angel Sanchezin dhe Zidanin së shpejti për të diskutuar për këtë situatë, si dhe për të diskutuar për futbollistë të tjerë, si Donny van de Beek dhe Christian Eriksen.