Mediumi britanik Sky Sports raporton se Manchester Unitedi është optimist se do të arrihet transferimi i Jadon Sanchos nga Borussia Dortmundi gjatë afatit kalimtar të verës, ndërsa interesimi për Jack Graelish është ulur.
Manchester Unitedi ende nuk ka arritur marrëveshje me Borussia Dortmundin sa i përket çmimit të lojtarit dhe strukturimit të atyre pagesave. Megjithatë, Djajtë e Kuq janë optimistë pasi që besojnë se kontrata personale me Sanchon do të jetë lehtë e arritshme.
Dortmundi insiston se s’do të pranojë ofertë nën 120 milionë euro për anglezin e talentuar 20-vjeçar, mirëpo Manchester Unitedi s’po pranon të shpenzojë kaq shumë para për shkak të krizës financiare që e ka shkaktuar përhapja e koronavirusit në botë.
Klubi gjerman kërkon që t’i paguhen 100 milionë euro sapo të nënshkruhet marrëveshje dhe pjesa tjetër të jetë në formë të bonuseve dhe duan që e gjitha kjo të kompletohet para 10 gushtit, kur skuadra t’i nisë përgatitjet parasezonale.
Dortmundi dëshiron që kjo sagë e transferimit të kompletohet deri më 10 gusht, në mënyrë që të ketë mjaftueshëm kohë për ta transferuar një zëvendësues për Sanchon, si sulmuesin e Lille, Jonathan Ikone, i cili vlerësohet 50 milionë euro.
Manchester Unitedi nuk ka bërë ende ofertë zyrtare për Dortmundin, mirëpo Djajtë e Kuq mbeten të vetmit që e kanë kontaktuar klubin gjerman për Sanchon.
Kontrata e Sanchos është e vlefshme deri më 2022 dhe Dortmundi nuk po shqetësohet për situatën e tij.