Manchester United ka refuzuar ofertën prej 20 milionë paundësh nga West Ham për kartonin e ish-kapitenit Harry Maguire.
Ky i fundit nuk bën më pjesë në planet e Ten Haag, që i hoqi edhe shiritin e kapitenit, megjithatë drejtuesit e ‘djajve të kuq’ duket se duan më shumë për kartonin e futbollistit.
Maguire ka humbur vendin e titullarit te Manchester United dhe është i padëshiruar edhe nga tifozeria, megjithatë drejtuesit e klubit shpresojnë të arkëtojnë të paktën 30 milionë paundë nga kartoni i tij.
Ndërkohë, për një transferim të mundshëm te West Ham, Maguire do të duhet të përgjysmojë edhe pagën prej 200 mijë paundësh në javë, që përfiton aktualisht te Manchester United, pasi klubi londinez nuk mund të përballojë një shifër të tillë.