Manchester Unitedi ka konfirmuar se pasues i përkohshëm i të larguarit, Ole Gunnar Solskjaer, do të jetë legjenda Michael Carrick.
Drejtuesit e klubit nga Old Trafford kanë vendosur sot (e diel) të ndajnë përfundimisht rrugët me norvegjezin Solskjaer.
Shkarkimi i Solskjaerit erdhi pas një morie rezultatesh negative, ndërsa kupa u mbush pas humbjes turpëruese 4-1 nga Watford të shtunën.
Megjithatë, drejtuesit e Unitedit kanë vendosur për një pasues të përkohshëm dhe jo një trajner të përhershëm.
Bëhet fjalë për legjendën Carrick, i cili do ta drejtojë skuadrën deri në momentin kur drejtuesit gjejnë trajnerin e ri.
“Michael Carrick tani do të marrë drejtimin e ekipit për ndeshjet e ardhshme, ndërsa klubi kërkon të emërojë një menaxher të përkohshëm deri në fund të sezonit”, thuhet në njoftimin e Unitedit.
Ndryshe, Carrick ishte ndihmës i Solskjaerit gjatë punës së këtij të fundit si trajner i parë i ekipit nga Old Trafford.