Gjatë këtij viti janë gjetur 11 mbetje mortore të trupave të vrarë gjatë luftës në Kosovë, në 10 lokacione që janë bërë gërmime, raporton Ekonomia Online.
Këtë e ka bërë të ditur Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të zhdukur Ramë Manaj, në një konferencë për medie ku ka njoftuar për punën është zhvilluar gjatë 2020-s.
Manaj ka bërë të ditur se gjatë këtij viti në Kosovë janë zhvilluar gërmime në 9 lokacione, kurse një në Serbi, në varrezën e Kizhevakut.
“Procesi i kërkimit dhe gjetjes për të zhdukurit është i ndjeshëm dhe shumë kompleks. Në këtë periudhë, sidomos në pjesën e dytë të vitit kemi pas në terren. Kizhevaku është lokacioni i 5 ku janë gjetur mbetje. Në Kosovë këtë vit kemi pasur gërmime në 9 vende që ka rezultuar me 11 mbetje trupash”, ka thënë Manaj.
Ai ka shtuar se kanë pritur që BE-ja të shtojë presionin më të madh ndaj Serbisë.
“Kemi pritur që BE-ja të shtojë një presion më të madh te Serbia për të nxjerrë informacione dhe që kjo fatkeqësi të përfundojë, por kjo nuk ka ndodhur. Mbështetja e SHBA-së ka qenë dhe vazhdon të jetë e madhe. Çështja e të pagjeturve është ngritur në nivelin më të lartë ndërkombëtar në Bruksel dhe marrëveshjen e Washingtonit”, ka thënë ai.
Derisa Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka bërë të ditur se në Serbi gjatë këtij viti i kanë kontrolluar tri lokacione, derisa ka theksuar se do të ketë gërmime në Shtavalin.
“Edhe në Serbi kemi kontrolluar tri lokacione, në mesin e tyre edhe Kizhevakun. Kemi bërë kontrollin edhe në Shtavalin, një minierë ku dyshohet për varrezë të cilës do t’i qasemi pas Kizhevakut”, ka thënë Gërxhaliu.
Kurse Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të zhdukur, në konferencë për media ka thënë se në këtë vit u janë kthyer familjarëve mbetjet mortore të katër personave.
“Të gjitha mostrat nga mbetjet mortore tani janë dërguar në Institut dhe po presim rezultatet e para për identifikimin e tyre. Gjatë këtij viti familjarëve u janë kthyer për varrim mbetjet mortore të 4 personave”, ka thënë Gara.