Kombëtarja e Shqipërisë në futboll po vazhdon përgatitjet për ndeshjen e së shtunës kundër Kazakistanit, në kuadër të Ligës së Kombeve, si dhe për duelin tjetër, atë të 14 tetorit ndaj Lituanisë. E maksimumin në të dyja këto ndeshje e kanë premtuar futbollistët Rei Manaj dhe Keidi Bare, që u paraqitën në konferencën për shtyp të mërkurën. Sulmuesi i Barcelonës B, Rei Manaj, ka thënë se të gjithë duhet të futen në ndeshje të përqendruar maksimalisht për të arritur fitore. Ai thotë se Shqipërisë patjetër i duhen pikët maksimale si me Kazakistanin ashtu edhe me Lituaninë.
“Shpresojmë që t’i fitojmë të dyja ndeshjet, por duhet të futemi në fushë të përqendruar dhe të dimë që edhe nëse në letër mund të jemi më të fortë, fusha tregon gjëra të tjera. Që në ndeshjen me Kazakistanin duhet të futemi në fushë me vetëbesimin te kualitetet tona dhe për të arritur fitoren”, u shpreh Manaj, i cili shtoi se i takon trajnerit të vendosë nëse do t’i japë më shumë hapësirë. “Është trajneri ai që zgjedh dhe shpresoj që të gjithë sulmuesit të jenë, sepse ky është një ekip kombëtar dhe nuk do të thotë asgjë se kush luan nga fillimi apo kush futet në pjesën e dytë. Ne jemi të gjithë njëlloj këtu dhe sa më shumë konkurrencë të ketë, aq më mirë është, sepse lojtarët japin një plus”.
Sulmuesi kuqezi theksoi se të gjithë lojtarët duhet të marrin përgjegjësi dhe të japin 100 për qind nga vetja. Shqipëria pas dy ndeshjeve të luajtura këtë edicion në Ligën e Kombeve ka tubuar tri pikë.
“Besoj se të gjithë lojtarët në kombëtare duhet të marrin një përgjegjësi që në klubet e tyre nuk e kanë. Për një futbollist është gjëja më e lartë dhe normalisht që kur një lojtar vjen në kombëtare duhet të japë 100% dhe akoma më shumë se ky është niveli më i lartë i futbollit. Personalisht duhet të jap akoma më shumë dhe shpresojmë që në këto dy ndeshjet e ardhshme të bëjmë sa më mirë”, u shpreh Manaj.