Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e konsideron shqetësuese vonesën për funksionalizimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OShP), Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), si dhe Bordit të Komisionit të Pavarur të Medieve (KPM), raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për medie, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj, ka thënë se në kohën kur Kosova po përballet me rritje të çmimeve, mosfunksionalizimi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës ndikon që këto çmime të rriten ne kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Ndërsa ka thënë se vonesat në emërimin e anëtarëve të OSHP-së dhe Bordin e KPM-së janë tentim për kapje dhe politizimin e këtyre organeve.
“Qeveria e Kosovës ka lënë jashtë funksionit, për afër një vit, organe të rëndësishme si Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, Autoriteti Kosovar të Konkurrencës si dhe Bordin e KPM-së”.
Ai tha se si pasojë e mosfunksionimit të OShP-së, Komunat dhe institucione qendrore, kanë mbetur pa realizuar projekte në vlerë qindra miliona euro, me të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në mirëqenies.
“Vonesa për mosfunksionalizimin e këtyre institucioneve është tentim për kapje dhe politizim të këtyre organeve. Në të njëjtën situatë ka ndodh edhe konkurrenca për emërimin për kryetar të Bordit të KPM-së”.
“Në këtë situatë të rënduar socio-ekonomike, shtrenjtimit të energjisë dhe produkteve ushqimore, kërkojmë nga Qeveria dhe shumica parlamentare të ndalin praktikën e mosfunksionalizimit”, tha Manaj.