Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar lidhur me përfshirjen e Manastirit të Deçanit në listën e “7 monumenteve më të rrezikuara të Evropës”.
“Ne vlerësojmë se përfshirja e njërit prej monumenteve më të rëndësishme të Kosovës në këtë listë, vlerat e të cilit tashmë janë të njohura si vlera universale të përfshira nga UNESCO në Listën Botërore të Trashëgimisë Kulturore, është pasqyrim i rrejshëm i realitetit në Kosovë me tendencë për ta paraqitur mjedisin tonë si të rrezikshëm për sigurinë dhe mirëqenien e Manastirit të Deçanit”, thuhet në reagimin e organizatave të shoqërisë civile.
Më tej në reagim thuhet se të dhënat e prezantuara në dokumentin e nominimit janë nxjerrë kryesisht nga raporte të institucioneve të Serbisë të cilat për qëllime politike tashmë është e dëshmuar se prezantojnë rrejshëm realitetin e Kosovës.
“Është tepër shqetësuese se vlerësimi i këtij nominimi nga Paneli Këshillëdhënës i Europa Nostra, i publikuar me datë 10 dhjetor 2020 është i bazuar në këto të dhëna të pa verifikuara dhe të rreme”, thuhet mes tjerash në reagim.
Reagimi i plotë i organizatave të shoqërisë civile:
REAGIM I ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE TË KOSOVËS NË LIDHJE ME PËRFSHIRJEN E MANASTIRIT TË DEÇANIT NË LISTËN ‘7 MONUMENTET MË TË RREZIKUARA TË EVROPËS”
Ne, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, shprehim shqetësimin tonë të thellë për përfshirjen e Manastirt të Deçanit në Listën ‘7 Monumentet Më të Rrezikuara të Evropës’ për vitin 2021 nga federata pan-evropiane e orgaizatave jo-qeveritare aktive në fushën e e trashëgimisë kulturore e njohur si EUROPA NOSTRA. Ne vlerësojmë se përfshirja e njërit prej monumenteve më të rëndësishme të Kosovës në këtë listë, vlerat e të cilit tashmë janë të njohura si vlera universale të përfshira nga UNESCO në Listën Botërore të Trashëgimisë Kulturore, është pasqyrim i rrejshëm i realitetit në Kosovë me tendencë për ta paraqitur mjedisin tonë si të rrezikshëm për sigurinë dhe mirëqenien e Manastirit të Deçanit.
Ne, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë shprehim indinjatën e thellë edhe ndaj organizatës “Future for Religious Heritage “një organizatë laike, jo profitabile, e regjistruar në Belgjikë, e cila duke u bazuar në të dhëna të pavërteta dhe të paverifiuara ka nominuar Manastirin e Deçanit për përfshirjen në Listën ‘7 Monumentet Më të Rrezikuara të Evropës’. Të dhënat e prezantuara në dokumentin e nominimit janë nxjerrë kryesisht nga raporte të institucioneve të Serbisë të cilat për qëllime politike tashmë është e dëshmuar se prezantojnë rrejshëm realitetin e Kosovës. Është tepër shqetesuese se vlerësimi i këtij nominimi nga Paneli Këshilldhënës i Europa Nostra, i publikuar me datë 10 dhjetor 2020 është i bazuar në këto të dhëna të paverifikuara dhe të rreme.
Në dokumentin e publikuar thuhet që Manastiri i Deçanit ka qenë cak ‘i një përpjekjeje të ISIS në vitin 2016’ që i referohet një incidenti me grafite të shkruara në përkrahje të ISIS-it në një mur periferik por që autorët nuk janë identifikuar asnjëherë. Insitucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë deri me tash nuk kanë të dhëna për një prezencë të organizatës ekstremiste ISIS në Kosovë, dhe të asnjë aktiviteti të izoluar të kësaj organizate në Manastirin e Deçanit. Përkundrazi, të dhënat zyrtare tregojnë që ambienti rreth Manastirit të Deçanit është i sigurt dhe paqësor dhe për vite me rradhë nuk është raportur për ndonjë incident me motive etnike ose fetare.
Më tej, arsyetimi i përzgjedhjes së Manastirit të Deçanit në Listën ‘7 Monumentet Më të Rrezikuara të Evropës’ bazohet edhe në siç thuhet ‘rrezikun që vjen nga plani e Qeverisë se Kosovës për ndërtimin’ e siç thuhet ‘autostradës’ ndërkombëtare që lidhë komunën e Deçanit me komunën e Plavës (Mali i Zi). Organizata CHwB Kosova përmes një letre të dërguar me date 17 dhjetor 2020 e ka informuar Bordin e Europa Nostra dhe Panelin Këshilldhënës se Qeveria e Kosovës dhe Autoritetet e Manastirit të Deçanit tashmë kanë arritur një ujdi që rruga ndërkombëtare do të ndërtohet jashtë hapësirës së Zonës së Veçantë të Mbrojtur. Është për të ardhur keq që ky fakt nuk është marrë parasysh gjatë vlerësimit të nominimit.
Ne, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë jemi të shokuar edhe me faktin që në deklaratën e publikuar nga Paneli Këshilldhënës çështja e mbrojtes së trashëgimisë kulturore përmendet në kontekst të siç thuhet ‘ bisedimeve për normalizimin e raporteve në mes Beogradit dhe Prishtinës’. Konsiderojmë që kjo fjali forcon tutje bindjen tonë se Europa Nostra është duke i shërbyer Qeverisë se Serbisë e cila ka për qëllim rikthimin e çështjes se trashëgimisë kulturore në tryezë të bisedimeve me qëllime të hapura për të ndarë trashëgiminë kulturore me status të ‘eksterritorialitetit’. Ne jemi të bindur se kjo tendencë është në kundërshtim me aspiratat e Kosovës për një shoqëri multi-etnike dhe demokratike. Trashëgimia kulturore në Kosovë është trashëgimi e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj dhe çdo përpjekje për ta ndarë atë është e rrezikshme dhe është në kundërshtim me vlerat evropiane.
Ne, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë besojmë që roli i Europa Nostra duhet të jetë ashtu siç është i përshkruar në dokumentet themeltare dhe udhëzuese të saja. Si e tillë, Europa Nostra duhet të angazhohet në mirëqenien e trashëgiminë kulturore të Kosovës me qëllim që ajo të jetë urë lidhëse e pajtimit, pjesë e përditshmërisë sonë shoqërore, kulturore dhe ekonomike, dhe me qasje të papenguar për të githë pa dallime etnike dhe fetare. Ne vlerësojmë se një proces i tillë i listimit të monumenteve do të duhej t’i nënshtrohej një procesi shumë më kompleks siç janë shqyrtimi i raporteve apo dokumenteve relevante, hulumtimeve në terren si dhe argumenteve nga të gjitha palët e përfshira, sidomos kur ato gjenden në kontekst te caktuar politik, ekonomik apo kultutor. Kjo është e vetmja mënyrë për të ofruar një pasqyrë më të saktë të realitetit.
Prandaj, ne, organizatat e shoqërisë civile kërkojmë që EuropaNostra ta rishikojë vendimin e vet duke u bazuar në të dhënat të cilat lehtësisht mund të faktohen në terren. Ne e ftojmë Europa Nostra për një vizitë në Kosovë për t’u takuar me të gjithë hisedaret dhe për t’i verifikuar të gjitha të dhënat konform kritereve të programit ‘7 Monumentet Më të Rrezikuara të Evropes’ . Kjo do ta bënte punën e Europa Nostra kredibile dhe të besueshme për të gjithë. Derisa kjo të bëhet, ne, organizatat e shoqërisë civile mbetemi të shqetesuar dhe të brengosur për efektet negative të vendimit të Europa Nostra, i cili në vete paraqet potencial për ta minuar procesin për ndërtim të besimit të ndërsjellë në mes komunitetëve në Kosovë.
Prishtinë, 16 Prill 2021
Lista e organizatave përkrahëse: