Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, Ogerta Manastirliu në seancën dëgjimore në Komisionin për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë tha se në bazë të marrëveshjes së re me kompaninë Pfizer pritet që brenda këtij viti të vijnë 500,760 doza Pfizer, që do të shërbejnë për të rritur mbulesën vaksinale.
“Kjo marrëveshje do të rrisë furnizimin me vaksina. Një marrëveshje që realizohet në sajë të bashkëpunimit me Pfizer, pas marrëveshjes së parë ku erdhën 500 mijë vaksina. Vjen ky amendim për 500,760 doza vaksine të cilat priten të levrohen brenda muajit dhjetor të këtij viti. Ndërkohë përmes instrumentit Covax deri në fund të vitit presim edhe rreth 400 mijë doza vaksine që pritet të mbërrijnë në Shqipëri”, tha Manastirliu.
Në fjalën e saj Manastirliu tha se në sajë të marrëveshjeve me kompani të ndryshme por edhe më partnerë si BE dhe shtete anëtarë në Shqipëri kanë mbërritur më shumë se dy milionë doza vaksine.
Manastirliu bëri me dije se janë në negociata me kompaninë Pfizer për të siguruar vaksina të tjera për vitin që vjen për të rritur mbulesën vaksinale dhe për t’iu përgjigjur çdo skenari.
“Ne jemi në negociata me Pfizer për nënshkrimin e marrëveshjeve për të siguruar vaksina për vitin tjetër dhe në vazhdim për të rritur mbulesën vaksinale dhe për t’iu përgjigjur çdo skenari që Komitetet tona do të vendosin për të siguruar vaksinimin e popullatës”, tha Manastirliu.
Lidhur me vaksinimet e kryera deri tani, Manastirliu tha se janë vaksinuar rreth 44% e popullsisë target, mbi 18 vjeç. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,764,714doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 811,765 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antiCOVID dhe 952,949 kanë kryer njërën dozë.