Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit të operatorëve turistikë në qendrën shëndetësore “Uji i ftohtë” në Vlorë.
Manastirliu tha se situate aktualisht është e kontrolluar dhe do të vijohet intensivisht me procesin e vaksinimit, për të patur një sezon turistik më të lehtësuar.
“Shumë faleminderit gjithë ekipit të qendrës shëndetësore këtu në Lungomare. Ku kemi parë që vijon vaksinimi edhe në qendra shëndetësore dhe ambulanca. Pra vaksinimi kapilar në të gjitha strukturat e shëndetësisë, aty ku janë detajuar sipas planit që ka hartuar Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik për vaksinimin e popullatës të grupmoshës mbi 60 vjeç, por gjithashtu edhe të grupeve të riskut, ku pjesë kemi bërë edhe punonjësit që punojnë në strukturat e hotelierisë.
Ndaj unë jam e kënaqur që shoh se si po vijon ky plan, pra përmbyllja e vaksinimit të punonjësve turistikë, në mënyrë që të kemi një verë sa më të lehtësuar. Por një gjë është e sigurt, që duhet të vijojmë të zbatojmë protokollet shëndetësore, protokollet e sigurisë, për të mundësuar që të mos kemi përhapje të koronavirusit“, tha Manastirliu.
Ministrja tha nga Vlora se më datë 15 Qershor, do të hapen qendrat shëndetësore verore si dhe do të vijojë dezinfektimi në zonat e përcaktuara nga ekspertët e shëndetit publik.