Manchester City e bën llogarinë për ta blerë Messin

Prishtinë | 25 Gus 2020 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Manchester City është duke e bërë llogarinë për të mësuar nëse do t’i ketë paratë e mjaftueshme për ta blerë Lionel Messin, pa i shkelur rregullat e ndershmërisë financiare të UEFA-s, nëse ylli i Barcelonës është në treg, sipas ESPN.

City është i vetëdijshëm se çfarëdo marrëveshje për Messin është e koklavitur dhe dëshiron të përgatitet për këtë nëse i vjen mundësia për ta transferuar atë, transmeton Gazeta Express.


Prandaj skuadra e Pep Guardiolës është duke i llogaritur shpenzimet që do t’i bënte nëse Barcelona vendosë ta shesë Messin për një çmim të arsyeshëm.

Qëndrimi zyrtar i Barçës është se Messi nuk është në shitje dhe cilado palë e interesuar për të duket t’i referohet klauzolës së lirimit të tij, në vlerë 700 milionë euro.

Por thuhet se disa anëtarë të bordit të Barçës janë të pëlqimit për ta shitur Messin, nëse ai vazhdon të bëjë trysni për t’u larguar dhe t’i përdorin paratë nga shitja e tij për ta rindërtuar ekipin.

Marrëveshja e tanishme e Messit me Barçën mbaron në verën e vitit 2021.

Messi thuhet t’i ketë thënë trajnerit të ri të Barçës, Ronald Koemanit, se ai e sheh veten më shumë jashtë Camp Nou se brenda.

33-vjeçari është i zhgënjyer dhe dëshpëruar me klubin, veçanërisht pas humbjes turpëruese 8:2 kundër Bayern Munich në Ligën e Kampionëve.

Të ngjashme