Trajneri i Zenit St Petersburgut, Roberto Mancini, ia ka hapur derën Federatës Italiane të Futbollit për postin e përzgjedhësit të Azzurrëve.
Italia e shkarkoi Giampiero Venturan, pasi dështoi ta kualifikonte kombëtaren në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm, duke bërë që për herë të parë kjo përfaqësuese të mungojë në këtë turne që nga viti 1958.
Carlo Ancelotti ishte zgjedhja e parë, mirëpo ai ka vendosur të pushojë pas largimit nga posti i trajnerit të Bayern Munichut.
Mancini fillimisht deklaroi se nuk ishte i gatshëm për t’u bërë përzgjedhës i përfaqësueses, mirëpo gjatë një interviste për Rai Sport ka lënë të kuptohet se i pëlqen të marrë drejtimin e Italisë.
“Ëndrra më e madhe çdo trajneri është që të bëhet përzgjedhës i kombëtares së tij”.
“Do të ishte një nder i madh që ta drejtoje vendin tënd”, ishin fjalët e Mancinit.
Italia duhet fillimisht ta zgjedhë presidentin e ri të federatës, duke qenë se Carlo Tavecchio dha dorëheqje pas dështimit për t’u kualifikuar në ‘Rusia 2018’.
Pas zgjedhjes së kreut të ri të federatës do të mund të vendoset edhe për trajnerin e ri.