Arti politik dhe politikat botërore rrallëherë përputhen në kohë reale, por derisa edicioni i dymbëdhjetë i bienales së artit bashkëkohor “Manifesta” është në prag, qyteti nikoqir i ngjarjes, Palermo, është duke ecur drejt këtij diskutimi.
Titulluar “A Planetary Garden: Cultivating Coexistence” (Një kopsht planetar: të kultivosh bashkekzistencën), ekspozita, që u hap më 16 qershor, një prej temave kryesore e ka migrimin. Disa ditë para se skena ndërkombëtare e artit të ecte drejt kryeqytetit Sicilian, ministri i Brendshëm italian, i emëruar rishtas, Matteo Salvini, mbylli portet e vendit për të shpëtuar anijet – përfshirë edhe “Aquarius”, një anije që provonte të hynte në Itali me 629 emigrantë, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e NYT.
Në kundërshtim të lajmërimit, kryetari i Palermos, Leoluca Orlando, ofroi t’ia hapte anijes portin lokal, por rojet bregdetare italiane refuzuan ta shoqëronin atë dhe emigrantët u dërguan në Spanjë.
Orlandio, i cili para vendimit të Salvinit, shpeshherë personalisht i kishte përshëndetur emigrantët që mbërrinin në Palermo, është i famshëm për luftimin e mafias siciliane në disa mënyra, qyshkur është bërë major më 1980. Një tjetër mision i tij është ta transformojë qytetin e lindjes, nëpërmjet kulturës: ai suksesshëm po përpiqet që Palermo të njihet si “kryeqyteti i kulturës” i Italisë për këtë vit, duke sjellë fonde shtesë qeveritare për aktivitetet kulturore dhe turizmin dhe ai ka qenë i përfshirë për sjelljen në qytet të festivalit të artit “Manifesta”. Këtë vit, “Manifesta” do ta shfrytëzojë Palermon si skenë, në të cilën konsiderohet se do të adresohen disa prej dilemave më të rëndësishme të kohës.
“Është bienale emigrantësh. Dhe Palermo është një qytet emigrantësh”, ka thënë Orlando.
Sicilia prej kohësh ka qenë në udhëkryqin mes Afrikës e Evropës, Lindjes së Mesme dhe Amerikës. Fenikët, arabët, grekët e normanët kanë lënë kulturën e tyre të lavdishme dhe gjurmë arkitektonike në Palermo, qysh para Luftës së Dytë Botërore. Myslimanët, të krishterët e hebrenjtë kishin jetuar në harmoni në ishull për qindra vjet. Edhe bimët ishin kryesisht të importuara – limoni Sicilian ka origjinë në Lindje të Mesme.
Lëvizja e njerëzve është një prej temave primare të “Manifestas”. Një tjetër është ndërveprimi human me natyrën: titulli i ekspozitës vjen nga një ese e vitit 1997 e shkruar nga arkitekti francez i peizazheve Gilles Clément, që paraqet kujdesin e qenieve humane si kopshtarë të Tokës.
“Mund t’i shihni krizat botërore nëpërmjet lenteve të Palermos, në një mënyrë të kondensuar”, ka thënë Hedwig Fijen, themelues e drejtor i bienales “Manifesta”. Ekspozita shtron pyetjen: “me gjithë çështjet me të cilat po përballet sot, si mund të kujdeset qenia humane ende për kopshtin?”
Në ekspozitë, “ndërmjetësuesit” (sivjet ‘Manifesta’ e ka shmangur fjalën kurator), Bregtje van der Haak, Andrés Jaque, Ippolito Pestellini Laparelli dhe Mirjam Varadinis kanë përzgjedhja vepra interdisiplinare nga më shumë se 50 artistë, arkitektë e mendimtarë, duke i shtrirë ato nëpër hapësira të neglizhuara të kopshtit botanik të Palermos.
Në njërën prej veprave, artisti irlandez John Gerrardis, përdor videolojëra teknologjike për të rikonstruktuar hapësirën në të cilën, në gushtin e vitit 2015, një kamion i braktisur qe zbuluar në një hekurudhë austriake, mbushur me trupa të ngufatur të 71 emigrantëve. Ekrani i madh shpërfaq kordonët e policisë që rrethojnë lokacionin, sikurse njolla të trupave.
“Shtatëdhjetenjë njerëz janë humbur këtu. Secili ka pasur një spektër mundësish, e tani e ka humbur. Mos ta harrojmë këtë. Le ta shënojmë”, ka thënë Gerrard në një intervistë.
Disa artistë adresojnë çështjen e mbikëqyrjes. Mes tyre është “Connected by Air” (Të lidhur nga ajri) realizuar nga disenjatori me seli në Amsterdam, Richard Vijgen, që ka projektuar një tavan në “Palazzo Ajutamicristo”.
Për të krijuar veprën “Signal Flow”, filmbërja amerikane Laura Poitras ka bashkëpunuar me gazetarin danez Henrik Moltke dhe disa studentë të Palermos.
“Kemi mësuar sesa esenciale është Sicilia për ushtrinë amerikane, edhe në kuptim të komunikimeve edhe të programit të dronit”, ka thënë Poitras, duke shpjeguar sesi sinjalet me telekomandë me seli në ShBA janë transmetuar në targetët e tyre nëpërmjet satelitëve të instaluar në Sicili e që ishin kundërshtuar nga aktivistë lokalë: një bazë e vjetër e Ushtrisë Amerikane ‘Navy’ ka qenë prezent në këtë ishull qysh prej vitit 1959.
Vepra të tilla dokumentare janë përkujtues të realiteteve tona të errëta, por megjithatë “Manifesta” po ashtu nderon edhe të bukurën, shpresën dhe mundësinë. Në Kopshtin Botanik të Palermos, themeluar më 1789, që përfshin 12 mijë specie, veprat e artit shpërfaqen mes gjethesh. Artisti kolumbian Alberto Baraya ka mbledhur bimë artificial dekorative të Palermos dhe i ka aranzhuar ato në serën e kopshtit. Dhe në një ekran mbi gjethe transmetohet video “Pteridophilia” e artistit kinez Zheng Bo.
“‘Manifesta’ mund të jetë pasqyrë e një Palermo të mundshme. Një pasqyrë e së ardhmes”, ka thënë Orlando. “Nuk është ngjarje e përkohshme”.