Manovra e radhës e Dodik, u përpoq të ndikonte në votën e ambasadorit të BeH në OKB për rezolutën rreth Ukrainës – u ndihmua nga rusët

Prishtinë | 03 Mar 2022 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Milorad Dodik krijoi një precedent skandaloz në politikë kur u përpoq të ndërhynte në Kombet e Bashkuara (OKB) përmes një vendi tjetër – Misionit të Federatës Ruse, mëson Klix.ba.

Sipas mediumit në fjalë, përcjell Telegrafi, këtë e konfirmon një letër e ambasadorit rus në OKB, Vassily Nebenzi, i cili më 28 shkurt ia përcjell letrën e Dodikut, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në të cilën ai deklaronte se “Bosnja dhe Hercegovina është neutrale për konfliktin në Ukrainë”.

Ai përfitoi gjithashtu nga rasti për të kritikuar ambasadorin e BeH, Sven Alkalaj.

“Për sa i përket situatës në Ukrainë, theksoj se ambasadori i BeH në OKB, Sven Alkalaj bën thirrje për një lëvizje personale, të njëanshme dhe të paautorizuar në deklaratën se BeH do të jetë sponsor i rezolutës amerikano-shqiptare që dënon veprimet e Rusisë kundër Ukrainës”, citohet të ketë shkruar Dodik në fillim të letrës.

Ai ka shkruar më tej se “për shkak të qëndrimit të prerë të Republika Srpska, institucionet përkatëse të BeH-së përgjegjëse për politikën e jashtme, nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim unanim për ngjarjet në Ukrainën lindore në drejtim të dënimit të Rusisë”.

“Bosnja dhe Hercegovina duhet të jetë e paanshme dhe neutrale dhe të mos mbështesë asnjë palë në këtë konflikt, por të mbështesë paqen dhe zgjidhjen paqësore në këtë situatë”, ka shkruar Dodik. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme