Mantelbardhët në grevë 24 orëshe, qytetarëve u refuzohet ndihma mjekësore

Prishtinë | 26 Dhj 2018 | 11:00 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Punëtorët shëndetësor sot kanë filluar grevën 24 orëshe.

Në grevë kanë hyrë i gjithë sistemi shëndetësor, përveç shërbimeve emergjente, raporton Ekonomia Online.

E gjithë kjo si shkak i pakënaqësisë rreth pagave të stafit mjekësor si dhe mos zbatimit të kontratës kolektive.

Ata po kërkojnë ngritjen e pagave për mjekët dhe punëtorët teknikë, përmirësimin e kushteve si dhe implementimin e plotë të Kontratës Kolektive Sektoriale.

Por, kjo gjendje e sektorit të shëndetësisë nuk po u pëlqen qytetarëve të cilët kërkojnë ndihmë rreth nevojave të tyre në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Taibe Gashi, e cila kishte ardhur në këtë qendër për të kërkuar ndihmë mjekësore pas një komplikimi në vesh, tha se u kthye mbrapa, pasi që mjekët e kësaj qendre i kishin thënë Gashit se ata nuk punojnë dhe se nuk mund ti japin trajtim asaj sot.

“Unë erdha këtu se kom probleme me vesh, rrisha te dera qaty pritsha, dikush e thirri mjekun e folën me mjekun, unë i thash që mezi kom ardh deri këtu, tha jo nuk punojna sot për shkak të grevës, tani më thanë shko në shpi, mundësh me ardhë nesër se sot s’punojmë”, tha Gashi.

Grevën e ditës së sotme e ka komentuar edhe kryetari i sindikatës për qendrat familjare në Prishtinë, Sherif Makolli.

Ai për Ekonomia online, tha se kjo grevë ka për qëllim ti tërheqë vëmendjen organeve kompetente për gjendje e shëndetësisë në vend.

Makolli tha se ata nuk do të dorëzohen deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Kjo është grevë në nivelin nacional që është organizuar nga FSSHK-ja është marrë vendim që greva të jetë 24 orëshe për tërheqë vëmendjen e organe ve që kanë obligim ta ndryshojnë gjendjen në shëndetësi. Jam optimist duke u bazuar në vendosshmërinë e federatës, vendosshmëria është që ne nuk lëshojmë pe pa u realizuar, kërkesat tona”, tha Makolli.

Ai tha se edhe qytetarët e kanë mirëkuptuar këtë vendim.

“Shpreh falënderim jashtëzakonisht të madh pasi që kemi hasë në mirëkuptim nga ana e tyre edhe ata vet e kanë pa që shëndetësia është në gjendje shumë të keqe dhe e kemi përkrahjen e tyre”, tha ai.

Makolli tha se kjo ka qenë një revoltë e vogël sa i përket kërkesave të tyre, por nëse këto nuk zbatohen atëherë shëndetësia do të jetë në grevë të përgjithshme.

“Në këshillin e përgjithshëm është marrë vendim që së pari të shkohet me një reagim pak ma të lehta, por nëse nuk zbatohen kërkesat tona, ne do të jemi në grevë të përgjithshme”, tha Makolli.

Të ngjashme