20 mijë euro janë ndarë nga ish-ministrja e Administratës dhe Pushtetit Lokal, Ardiana Hoxhiq për mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për KRU Mitrovica.
Arsyetimi për këtë nga sekretarja e ministrisë, Rozafa Ukimeraj, ka qenë se komuna e ka kërkuar një gjë të tillë, pasi që energjia elektrike është shfrytëzuar për prodhimin e ujit.
Siç ka thënë ajo, Ministria e ka ditur që një gjë e tillë është e paligjshme, por ka shtuar se një gjë e tillë nuk do të përsëritet, raporton KOHA.
Ndërkohë, Ministri i Pushtetit Lokal dhe zvendëskryeministri Goran Rakiq, ka thënë se nuk ishte qëllim i keq.
Sipas gjetjeve të auditorit, 20 mijë eurot janë ndarë me kërkesë të kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, që atëherë ishte Goran Rakiq.
“Me datën 25.06.2019, ministrja nxjerr vendimin duke e aprovuar kërkesën e komunës për ndarjen e 20,000€ nga kategoria ekonomike mallra dhe shërbime. Më tutje, në po të njëjtën datë nënshkruhet marrëveshja e mirëkuptimit për mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për KRU Mitrovica nga Ministrja e MAPL-së dhe Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, në vlerë 20,000€. Sipas nenit 3 të kësaj marrëveshjeje, pagesat nga MAPL do të bëhen në bazë të faturës së shpenzimit të energjisë elektrike për KRU Mitrovica”, thuhet në raportin e auditorit.
Por, pavarësisht kësaj, pagesat nuk janë bërë si duhet, pasi MAPL-ja ka paguar faturat e lëshuara nga ana e KRU Mitrovicës.
“Kemi vërejtur se pagesa nuk është bërë për energji elektrike siç ishte paraparë në marrëveshje, por ishin paguar faturat e ujit të lëshuara nga KRU Mitrovica. Faturat e ujit ishin për muajin dhjetor 2013 dhe dy për shkurt dhe mars të vitit 2014. MAPL kishte paguar kompaninë e ujit nga kodi ekonomik: shërbime kontraktuese të tjera në vlerë 19,523€, meqenëse mjetet për të mbuluar këtë marrëveshje nuk ishin buxhetuar fare”, thuhet në gjetjet e auditorit.
Me këtë rast, deputetët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike kanë kërkuar që të fillojë hetimi nga ana e Prokurorisë për këtë çështje.
Ndërkohë, 17 mijë euro avanca të ndara nga ish-ministrja Ardiana Hoxhiq nuk janë mbyllur ende. Sipas sekretares së MAPL-së, kjo është bërë për shkak se kodet kanë qenë gabim.