Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor ka vendosur të anulojë dhe të kthejë në rishqyrtim vendimin e asamblesë së qytetit të Vushtrrisë e cila votoi javë më parë për rrëzimin e ndërtesës së vjetës të gjykatës në këtë qytet.
Lajmin e ka bërë të ditur arkitekti Bledian Salihu sipas të cilit, ky lajm duhet të jetë një mesazh për të gjithë e veçanërisht për elitën politike, se qyteti i përket qytetarëve.
“Nëse ju kujtohet vendimi i javëve të fundit që asambleja e qytetit votoi për rrëzimin e ndërtesës së vjetër të gjykatës në Vushtrri, pas ankesës që bëmë në MAPL, sot kemi marrë lajmin e mrekullueshëm se vendimi është anuluar dhe është kthyer në rishqyrtim nga Ministria. Ky është një lajm i mrekullueshëm, ky duhet të jetë një mesazh për të gjithë dhe veçanërisht elitës politike, se qyteti i përket qytetarëve dhe qytetarët duhet të kenë të drejtën të vendosin për vendin e tyre”, ka shkruar Salihu në Facebook.
Ai ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri që të respektojë procedurat dhe që diskutimi publik për këtë ndërtesë të pasojë në vazhdim me qytetarët e Vushtrrisë.