Në komunën e Pustecit dhe zonat kufitare të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut është rritur interesi i popullatës lokale për shtetësinë dhe pasaportën bullgare. Në këtë zonë jeton komuniteti i deklaruar si maqedonas, por edhe bullgar, informon INA.
Deputeti në Kuvendin e Shqipërisë, Vasil Sterjovski nga Aleanca Maqedonase për Integrime Evropiane ka thënë se është rritur interesi për pasaportat bullgare në zonat kufitare. “Nuk ka të rinj në rajonin e Gorës dhe Gollobërdës në Shqipëri, ku jeton pakica maqedonase, të mos ketë qenë në ekskursion falas njëjavor në Bullgari”, theksoi Sterjovski. Sipas tij, bullgarët po shfrytëzojnë varfërinë e maqedonasve në Shqipëri dhe në kontinuitet po bëjnë gjithçka për të treguar se ata janë minoritet bullgar.