Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), është e gatshme që ta mbrojë vendin dhe sovranitetin, raporton Ekonomia Online. Në konferencën e fundit për këtë vit, ai tha se vendosja e xhandarmërisë serbe në kufirin me Kosovës paraqet rrezik për sigurinë dhe stabilitetin.
Por ai pohoi se bashkë me KFOR-in po koordinohen që kjo qasje agresive e Serbisë të minohet, por tha se janë duke ndërtuar edhe kapacitet e FSK-së.
Ai përmendi të arriturat gjatë vitit 2023 si dhe planet 2024. Maqedonci tha se arritja më e lartë e këtij viti është buxheti, e që nga buxheti fillestar ka arritur vlerën 201 milionë euro, standard i kërkuar për vendet e NATO-s
“Ajo që mund te them është se FSK-ja ka të gjitha elementet për mbrojtjen e vendit dhe si sovranitetit. Vendosja e xhandarmerisë serbe në kufi, vet prezenca e tri brigadave paraqet kërcenim për vendin tonë dhe është pasojë e bazamentit të rrezikshmërisë, duke nisur nga Kushtetuta e saj që Kosovën e njeh si pjesë e shtetit të saj. Ne jemi në koordinimin me KFOR-in për zbutje e situatës nga kjo qasje, por jemi duke ndërtuar edhe kapacitetet tona”.
Ai përmendi rekrutimin e 1 838 pjesëtarëve të rijnë, ngritjen e pagave te gradave e ulëta, shkollimet jashtë vendit etj. Po ashtu, ai përmendi edhe rritjen e buxhetit për armatim ku do të investohen 28% më shumë se sivjet, ku ka thënë se i kanë harxhuan 239 milionë euro.
“Arritje shumë e veçantë është investimi në sisteme të armatimit, me një buxhet që ka shënuar rritje mbi 100 për qind në raport me vitin 2022, është investuar 28 për qind më shumë në blerjen e armatimit gjatë këtij viti, apo nga përafërsisht 4 milionë që janë investuar në qeverinë e kaluar në sisteme të armatimit, shifra ka arritur në 239 milionë euro investime në sisteme të armatimit”.
“Dronët Bajraktar janë një nga llojet e shumta të sistemeve moderne të armatimit me të cilat është pajisur Forca e Sigurisë së Kosovës dhe që mbështet zhvillimin në përgjithësi në përputhje me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.
“Gjatë këtij viti kemi rekrutuar 627 rekrutë aktiv, ndërsa që nga fillimi i mandatit ne kemi rekrutuar 1 mijë e 836 pjesëtarë të rinj, duke dyfishuar pothuajse numrin total të ushtarakëve, me një rritje prej 66 87 për qind”, ka deklaruar Maqedonci, raporton EO.
“Te ngritja e pagave ka pasur zhvillim pozitiv, kemi ngritje te pagave, sidomos tek pjesa e gradave të ulëta, ku përfshihen ushtarët, tetarët e karrierës dhe tetarët me gradë. Republika e Kosovës është ngritur 5 vende më lartë në indeksin ndërkombëtar për mbrojtje globale, arritje e lartë”.
Maqedonci potencoi se objektiv strategjik mbetet integrimi në NATO, për çka tha se janë bërë hapa konkret.