Maqedonci: Kemi kërkuar nga SHBA-ja të diskutojmë blerjen e helikopterëve

Prishtinë | 17 Tet 2026 | 08:00 | Nga Gzim Mujaj

Kosova ka adresuar kërkesën te Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të diskutuar blerjen e helikopterëve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ndërsa prioritet në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse do të jetë edhe mbrojtja ajrore. Kështu ka bërë të ditur në një intervistë për Ekonomia Online ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka folur edhe për kërcënimet që, sipas tij, paraqet Serbia për sigurinë e Kosovës dhe rajonit.

Maqedonci tha se kërkesa për helikopterë është adresuar nga komandanti i FSK-së dhe se procedurat për blerjen e tyre zhvillohen përmes programit amerikan FMS, ku përfshihet Departamenti Amerikan i Luftës.

“Kemi prokuruar normalisht edhe dronët, pra fluturaket pa pilot që kemi tri lloje aktualisht në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Fokusi ynë në vazhdim do të jetë mbrojtja ajrore, pra mbrojtja nga sulmet eventuale ajrore, mbrojtja e hapësirës ajrore të Kosovës, dhe për këtë çështje jemi duke koordinuar dhe bashkëpunuar me partnerët tanë amerikanë. Edhe mbështetja ajrore, që nënkupton edhe kjo pjesa e helikopterëve, për të cilën tashmë komandanti i FSK-së ka adresuar kërkesën për SHBA-në, për të diskutuar këtë çështje, sepse kjo blerje bëhet duke aplikuar programin FMS, që nënkupton ne dërgojmë kërkesën në Departamentin e Luftës, të gjitha procedurat e negocimit, prokurimit, edhe procedurat e tjera për blerje zhvillohen nga Departamenti Amerikan i Luftës”, tha Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes foli edhe për armatimin e blerë gjatë viteve të fundit, duke theksuar se FSK-ja ka shtuar llojet e sistemeve të armatimit dhe se po synohet zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve ushtarake.

“Ne kemi bërë blerje të llojllojshme, pra gjatë këtyre fazave, sidomos gjatë tre-katër viteve të fundit, kemi bërë prokurimet e sistemeve shumë të rëndësishme të armatimit. Dihet që një pjesë edhe janë bërë publike, një pjesë janë parë edhe gjatë ushtrimeve, një pjesë i kemi theksuar edhe në publikimet tona. I kemi aktualisht katër lloje të sistemeve antitank, lloje të mortajave të ndryshme, për çitje në distancë të ndryshme, lloje të automjeteve të ndryshme, kemi prokuruar edhe sisteme të artilerisë mobile”, tha ai.

Maqedonci bëri të ditur se Kosova po punon edhe në zhvillimin e njësive të reja dhe në përshtatjen e kapaciteteve mbrojtëse me situatën aktuale të sigurisë.

“Pra, ne këto ndryshime që po i bëjmë edhe bashkë me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, këtu rritjen e numrit të armëve, po mendoj, shumëfishimin e llojeve të armëve, rritjen e njësive të reja, sepse kemi dy njësi të reja që tashmë janë shumë operacionale, siç janë njësia për operacione speciale dhe njësia për fluturake të papilotë, që janë njësi që s’kanë qenë të planifikuara në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, janë bërë duke, analizuar situatën aktuale dhe nevojat që ka Kosova për mbrojtje”, shtoi.

Ai tha se zhvillimi i FSK-së po bëhet në përputhje me nevojat aktuale për mbrojtje, pasi plani gjithëpërfshirës i tranzicionit ishte hartuar duke u bazuar në një analizë të rreziqeve të vitit 2014.

“Pra, dy vite më herët jemi duke e mbushur, Forcën e Sigurisë së Kosovës me personelin e nevojshëm. Jemi duke punuar pastaj edhe në aspektin e regrutimit të rezervës, po mendoj rezervës aktive. Gjithashtu, ëh, si rrjedhojë e mbështetjes së vazhdueshme që kemi marrë nga kryeministri dhe qeveria, ne kemi arritur që të shumëfishojmë llojet e armatimit, pra kemi shumë e shumë lloje të armatimit, siç kanë qenë të planifikuara me atë planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, por përveç që kemi shumë e shumë lloje, kemi edhe shumë e shumë sasi, siç ka qenë e planifikuar, me planin e gjithëpërfshirës të tranzicionit. Dhe kjo është bërë jo, thjesht për të mbushur depot me armatime dhe municione, por për të mbushur nevojën e Kosovës që ka për mbrojtje. Plani i gjithëpërfshirës i tranzicionit është një plan që është bërë në vit, është aprovuar në vitin 2018, nga Kuvendi i Kosovës. Normalisht, ka shumë elementë të klasifikuar në atë plan që nuk mund të bëhen publik, mirëpo është për t’u theksuar që ai plan është draftuar, është bërë bazuar në një analizë që është bërë në vitin 2014, kur rreziqet dhe kërcënimet kanë qenë të tjera”, theksoi ai.

Ministri tha se synimi është që deri në vitin 2028 FSK-ja të jetë e përgatitur për mbrojtjen e territorit, por theksoi se zhvillimi i kapaciteteve mbrojtëse do të vazhdojë edhe pas këtij viti.

“Unë vlerësoj që viti 2028 do të na gjejë me një forcë të sigurisë së Kosovës të përgatitur edhe të gatshme për të mbrojtur territorin. Normalisht që zhvillimi i ushtrisë nuk përfundon në vitin 2028. Ne jemi duke punuar që të kemi një plan afatgjatë të zhvillimit të kapaciteteve tona mbrojtëse, dhe për më tepër, në qeverinë e Kosovës është aprovuar dhe programi i mbrojtjes gjithëpërfshirëse, që gradualisht Kosovën ta shndërrojë në një vend, me një sistem mbrojtës, ku do të kemi një ushtri profesionale, që është Forca e Sigurisë së Kosovës, me të gjitha kapacitetet e nevojshme ushtarake, dhe krahas saj të kemi një angazhim të një rezerve vullnetare nga shoqëria civile, por edhe një angazhim të institucioneve për sistemin tonë mbrojtë”, potencoi ministri.

Ai shtoi se krahas forcës profesionale, synohet përfshirja e qytetarëve dhe institucioneve në sistemin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, përfshirë përgatitjen për situata krizash dhe fatkeqësi natyrore.

“Pra, Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojë të personalizohet si forcë profesionale, në anën tjetër, po ndërtojmë një sistem mbrojtjeje gjithëpërfshirëse, të gjithë qytetarët dhe gjithë institucionale. Pra, qytetarët do të kenë mundësinë të trajnohen, përgatiten, që të kenë rolin e tyre brenda sistemit tonë të mbrojtjes, dhe të vazhdojnë normalisht me jetën e përditshme, me punët që kryejnë, në baza ditore, edhe do të thirren kur të ketë nevojë vendi, jo vetëm në rast lufte, por edhe në rast krizash, edhe në rast të fatkeqësive natyrore”, tha ai.

Maqedonci bëri të ditur se FSK-ja është duke rekrutuar edhe 530 pjesëtarë, të cilët po përfundojnë trajnimin në Ferizaj, me qëllim të përmbushjes së numrit prej 5 mijë pjesëtarësh aktivë.

“Ne në vazhdimësi, kemi bërë gjatë këtyre viteve investime në fushën e mbrojtjes, është për t’u theksuar fakti që është katërfishuar buxheti për Ushtrinë e Kosovës gjatë mandatit të kaluar të qeverisë. Kemi bërë hapa të mëdhenj në raport me forcimin e kapaciteteve tona ushtarake. Kemi arritur shumë prej objektivave në faza shumë më të hershme sesa që ka qenë e planifikuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit. Aktualisht, jemi duke i regrutuar edhe 530 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët janë duke përfunduar tashmë trajnimin në Ferizaj, pra në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, për të përmbushur atë numrin 5.000 aktivë, që kërkohet sipas planit gjithëpërfshirës të tranzicionit”, tha ministri.

Në lidhje me situatën e sigurisë, ministri vlerësoi se ajo është e qëndrueshme, ndërsa përmendi punën e Policisë së Kosovës, Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

“Unë besoj që aktualisht situata e sigurisë në Kosovë është shumë e qëndrueshme, me dobimin e grupeve terroriste nga Kosova, me mposhtjen e këtyre grupeve nga njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës, me goditjen që Agjencia Kosovare e Inteligjencës po jap në vazhdimësi, ëh, po mendoj, aktiviteteve të spiunazhit të Serbisë në Kosovë, me zhvillimin dhe forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe bashkërendimin me partnerët tanë, ne kemi arritur që në të vërtetë në Kosovë të krijojmë një ambient të qetë, një ambient të qëndrueshëm, një ambient stabil, dhe sidomos kjo, gjatë këtyre dy-tri viteve të fundit. Dhe kjo është vlerësuar edhe nga NATO, pra NATO ka vlerësuar që Kosova, po, shkon drejt një ambienti stabil dhe të sigurt. Përveç kësaj, ne jemi dëshmitarë që Kosova është duke u shëndruar edhe në një vend kontribues për sigurinë dhe paqen në botë, pra nuk jemi vetëm duke u ëh, angazhuar në sigurinë e vendit tonë, por edhe në sigurinë globale, rajonale dhe në sigurinë evropiane”, tha ai.

Sa i përket kapaciteteve ushtarake të Serbisë, Maqedonci tha se vendosja e trupave dhe bazave pranë kufirit me Kosovën përbën shqetësim për institucionet e vendit. Sipas tij, Serbia ka 48 baza të përparme operacionale përgjatë vijës kufitare.

“Edhe kjo çështje e 48 bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe është theksuar shumë herë, edhe e kemi njofutuar edhe NATO, edhe partnerët gjatë gjithë diskutimeve, që për Kosovën përbën kërcënim faktit që Serbia ka vendosur përgjatë kufirit me Republikën e Kosovës 48 baza. Ne, këtu, ku të fundit kemi pasur informacione edhe për tërheqje të disa njësive nga disa baza, mirëpo përderisa baza është aty, tërheqja e personelit dhe rikthimi i personelit është çështje më shumë operative sesa që është tërheqje e bazave pra, sipas informacioneve që kemi pasur dhe vazhdojmë t’i kemi, janë eksistencë 48 baza që janë në një distancë 500 deri në 5 km nga vija kufitare e Kosovës, pra në territorin e Serbisë, dhe janë përgjatë gjithë vijës kufitare”, tha ai.

Ai shtoi se Serbia ka të vendosura në pjesën jugore të territorit të saj tri nga katër brigadat ushtarake, si dhe ka blerë armatim të avancuar nga Kina.

“Dhe për, përveç kësaj, Serbia ka të zbarkuara, të vendosura në jug të territorit të saj, tri nga katër brigadat e saj ushtarake, pra, Serbia në tërësi, Ushtria Serbe ka katër brigada, tri nga ato janë të vendosura në jug të territorit të Serbisë, që janë mbështetje për këto baza të përparme operacionale. Një është në Rashkë, një brigadë është në Nish, dhe një tjetër është në Vranjë, pra, e ka një concentrim të madh të trupave ushtarake në jug të territorit të saj, jo larg kufirit në Kosovë, apo ashtu me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe kjo, për ne përbën një shqetësim, sepse kjo po plotësohet edhe me aspekte të tjera shqetësuese, siç janë armatosja e Serbisë me armë të ndryshme duke përfshirë edhe këtu raketa hipersonike të blera nga Kina”, tha ai.

Maqedonci vlerësoi se politika e Serbisë ndaj fqinjëve, sipas tij, mbetet thelbi i shqetësimeve të sigurisë në rajon.

“E thashë edhe më herët, ky militarizimi ndoshta nuk do të ishte aq shqetësues sikur thelbi i politikës së serbët mos vazhdonte të mbetej hegjemonist dhe agresiv në raport me fqinjët. Mirëpo, normalisht që neve kjo nuk na frikëson. Kosova është e tip avor, Kosova po bashkëpunon me partnerët për të ndërtuar kapacitetet e saj ushtarake, dhe ushtria e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë janë më se të vendosura që të mbrojnë çdo pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe çdo jetë të qytetarit të Kosovës nga çdo kërcënim dhe rrezik nga kushdo që mund të vihet”, tha ai.

Ministri foli edhe për atë që e cilësoi si qasje hibride të Serbisë ndaj vendeve fqinje, duke përmendur bashkëveprimin e institucioneve shtetërore me grupe kriminale dhe terroriste, si dhe përdorimin e dezinformimit.

“Kjo tregon për një qasje të Serbisë, një qasje hibride në raport me vendet fqinjë. Pra, kur kur flasim për luftën hibride, kjo nënkupton angazhim të institucioneve edhe organizatave konvencionale, siç është ushtria, policia dhe shërbimi i inteligjencës në bashkëveprim me aktorët jo konvencionalë, siç janë grupet terroriste, grupet kriminale, por edhe dezinformimin edhe mjete të tjera. Pra, kjo qasje hibride është e përafërt me atë që Federata Ruse në vazhdimësi ka aplikuar në raport me Ukrainën dhe po aplikon edhe me vende të tjera të Evropës lindore, por edhe qendrore, dhe kjo tregon për një, mund të themi, për një funksionim të njëjtë, të përbashkët, të koordinuar, mes Federatës Ruse dhe Serbisë, të paktën duke ndarë përvojat me njëra-tjetrën”, tha ai.

Maqedonci tha se strehimi i personave të përfshirë në aktivitete kriminale dhe mbështetja e grupeve që kanë vepruar në rajon janë shqetësime që Kosova ua ka ngritur vazhdimisht partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht pas sulmit në Banjskë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet tona, shumë herë gjatë këtyre viteve, sidomos pas sulmit në Banjskë, e kanë shfaqur si shqetësim, para vendeve partnere, edhe para gjithë aktorëve me të cilët kemi komunikuar, çështjen e strehimit të grupeve kriminale dhe terroriste që tentuan aneksim të pjesës sonë veriore në Republikën e Serbisë, dhe për më tepër, mbështetjen që qeveria e Serbisë dhe institucionet e sigurisë në Serbi po japin këtyre grupeve. Për ne, kjo përbën një shqetësim, jo vetëm për ne, përbën për të gjitha vendet, të paktën të Ballkanit Perëndimor, por edhe të Evropës, sepse në vazhdimësi po e mban Serbinë në një gjendje të një shteti, të një burimi të jostabilitetit për sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Duke pasur brenda vendit grupe terroriste që kanë tendencuar aneksim të një pjese, të një territori, të një vendi tjetër, siç ishte rasti i sulmit në Banjska, duke pasur brenda territorit, duke strehuar edhe kriminelë që kanë zhvilluar dhe aktivitete të tjera kriminale në rajon, atëherë normalisht që kjo paraqet një kërcënim edhe rrezik për vendet përreth. Pro, kjo politikë e Serbisë për ruajtjen, strehimin e kriminelëve po vazhdon, nuk është e re, me vite të tjera Ratko Mlladiq edhe kriminelë të tjerë janë strehuar pikërisht në Serbi. Fatkeqësisht edhe në institucionet shtetërore të Serbisë ka pasur raportime më herët për strehimin e Radojiçiqit, por edhe të kriminelëve të tjerë edhe në boza, edhe në institucione shtetërore”, tha ai.

Ministri tha se deklaratat e politikanëve serbë dhe qasja e Beogradit ndaj vendeve fqinje, sipas vlerësimit të tij, pasqyrojnë synime për dominim rajonal.

“Unë besoj që këto deklarimet e politikanëve serbë që vazhdojnë të jenë, fatkeqësisht, që të kenë natyrë ultrashoviniste, nuk janë të reja, janë një vazhdimësi që po vazhdon për kohë të gjatë, pra, këto deklarime nuk janë deklarime të tanishme, por unë besoj që problemi më i madh, thelbi i gjithë problemit, qëndron te qasja shtetërore e Republikës së Serbisë në raport me vendet fqinjë. Pra, është një qasje hegjemoniste, një synim për të dominuar Ballkanin, që vazhdon të jetë në thelbin e politikës serbe. Pastaj çdo veprim tjetër, si militarizimi, si mbështetja e grupeve terroriste, si aktivitete të tjera që zhvillojnë aktorë të ndryshëm të mbështetur nga Serbia, janë vetëm ata që përkthejnë në zbatim këtë qasje që është thellë e ngulitur në politikën e Serbisë, pra, tentativën për të dominuar Ballkanin Perëndimor dhe me gjërë”, tha ai.

Të ngjashme