Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se kërcënimi i fundit nga Vuçiq s’është diçka e re dhe se Kosova nuk frikësohet nga këto kërcënime, raporton Ekonomia Online.
Maqedonci ka theksuar se përderisa Kosova ka institutcionet dhe strukturat e saj që punojnë për sigurinë e vendit, nuk ka arsye që kërcenimet e Serbisë të jenë shqtësuese.
“Kërcënimi i fundit nga Vuçiq s’është diçka e re, ne nuk frikësohemi nga këto kërcënime. Jemi të përgatitur dhe asnjëherë frikësohemi duke pasur parasysh që i kemi institucionet tona që punojnë vazhdimisht në këtë drejtim”.
Këtë deklaratë, ministri e ka bërë pas mbledhjes së Qeverisë, ku të mërkurën u miratua edhe Programi Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse.
Maqedonci ka thënë se ky program synon të ndërtojë qëndrueshmëri kombëtare për reagimin dhe rimëkëmbjen e popullsisë në raste të fatkeqësive natyrore a sulmeve të armatosura.
Ai ka theksuar se programi është hartuar në bazë të sistemeve të ngjashme që aplikohen në vende të ndryshme të NATO-s.