Maqedonci: Koordinimi me NATO-n dhe KFOR-in mbetet prioritet i Ministrisë së Mbrojtjes

Prishtinë | 16 Dhj 2025 | 16:49 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se ka zhvilluar sot një takim virtual me shefen e operacioneve aktuale të Divizionit për Operacione të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe.

Në një postim në Facebook, Maqedonci tha se gjatë takimit e ka njoftuar zyrtaren e lartë të NATO-s për zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe për planet e së ardhmes.

“Kisha kënaqësinë që sot të zhvillojë një takim virtual me Shefen e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, znj. Ariella Viehe. Me këtë rast, znj. Viehe e njoftova me zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe planet për të ardhmen”, ka shkruar Maqedonci.

Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes do të vazhdojë koordinimin e ngushtë me KFOR-in dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).

“Si ministri do të vazhdojmë me përkushtim koordinimin e ngushtë me KFOR dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), dhe mirëpresim bashkëpunimin e mëtejmë me NALT, me synim rritjen e mbikëqyrjes civile dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së”, tha ai.

Sipas Maqedoncit, këto angazhime kanë për qëllim që Kosova dhe FSK-ja të vazhdojnë të japin kontribut edhe më të fuqishëm në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes.

“Po angazhohemi çdo ditë që vendi ynë dhe FSK të vazhdojnë edhe më fuqishëm të japin kontribut në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes. Kosova drejt NATO-s!”, shtoi Maqedonci

Të ngjashme