Maqedonci priti në takim ministrin e Mbrojtjes të Letonisë, e njoftoi për gjendjen në veri të vendit

Prishtinë | 12 Dhj 2024 | 16:05 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot priti në vizitë zyrtare ministrin e Mbrojtjes të Letonisë, Andris Sprūds. Ceremonia zyrtare e pritjes u zhvillua me nderime shtetërore dhe u shoqërua nga togu ceremonial i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Gjatë takimit, dy ministrat diskutuan rreth zhvillimeve rajonale dhe situatës së sigurisë në vend e Evropë.

Ministri Maqedonci e njoftoi homologun e tij rreth gjendjes në veri të vendit, pas sulmit terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, si dhe rrezikun e përhershëm që Serbia paraqet për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, si shteti i vetëm që vazhdon të ruajë lidhje të afërta me Rusinë.

Në këtë aspekt, të dy ministrat theksuan dhe rëndësinë e shkëmbimit të përvojave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, mbrojtjes totale, bashkëpunimit në avancimin e interesave të përbashkëta dhe promovimin e vlerave që Kosova dhe Letonia ndajnë përballë rreziqeve nga sistemet autokratike. Ministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme që Letonia i ka ofruar Republikës së Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Vizita e ministrit Sprūds shënon një hap tjetër të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit midis Kosovës dhe Letonisë, duke reflektuar angazhimin e ndërsjellë për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Të ngjashme