Industria e mbrojtjes do të vazhdojë të ketë vëmendje të veçantë në prioritetet e Kosovës, tha ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pas takimit që, në kuadër të Forumit Diplomatik në Antalia, sot, të dielën, e zhvilloi me presidentin e Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Haluk Gorgun.
Maqedonci njoftoi se diskutuan për bashkëpunimet që mund të zhvillohen midis dy shteteve në fushën e industrisë së mbrojtjes si dhe për hapat strategjikë që do të kontribuojnë në sigurinë rajonale.
“Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes forcon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë, si dhe kontribuon fuqishëm në zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të Kosovës, duke krijuar vetëqëndrueshmëri për municione të kalibrave të ndryshëm”, tha Maqedonci, i cili paraprakisht në Antalia, u takua edhe me homologun e tij turk, Yasar Guler.