Maqedonci takon kadetët kosovarë që përfunduan shkollimin në Akademinë Ushtarake të Turqisë

Prishtinë | 30 Gus 2026 | 16:43 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka takuar kadetët nga Kosova që kanë përfunduar me sukses shkollimin në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë.

Maqedonci ka bërë të ditur se takimi është zhvilluar para fillimit të ceremonisë së diplomimit në këtë akademi prestigjioze.

Ai ka uruar nëntogerët Ramadan Rexha, Gjergj Dreni, Altin Salihaj, Elmë Ramadani dhe Admirim Ismajli për përfundimin me sukses të pesë viteve të shkollimit, përfshirë një vit të kursit përgatitor të gjuhës turke dhe katër vite të studimeve ushtarake.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, krahas zhvillimit të kapaciteteve dhe modernizimit të forcës, kanë në fokus të veçantë arsimimin, edukimin dhe zhvillimin profesional të personelit. Investimi në kuadro të mirëfillta ushtarake është investim në të ardhmen e FSK-së dhe në ndërtimin e një force moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve partnere”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

Ai ka theksuar se shkollimi i oficerëve të FSK-së në akademitë e vendeve partnere forcon lidhjet dhe bashkëpunimin ndërmjet forcave të armatosura.

Maqedonci ka shprehur mirënjohje ndaj Republikës së Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme në arsimimin dhe zhvillimin profesional të pjesëtarëve të FSK-së, duke u uruar nëntogerëve suksese në detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në shërbim të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Republikës së Kosovës.

Të ngjashme