Maqedonia e ka mbyllur vitin 2018 me shumë sfida, por edhe me shpresën se në vitin 2019, përfundimisht do të realizojë objektivin e saj kryesor – anëtarësimin në NATO dhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Nënshkrimi i Marrëveshjes me Greqinë, më 17 qershor, për zgjidhjen e kontestit 27 -vjeçar të emrit, vlerësohet si ngjarja jo vetëm e këtij viti, por më e rëndësishmja që nga pavarësimi i vendit në vitin 1991.
Kjo marrëveshje që i ndërron emrin vendit në Maqedonia e Veriut, mundëson zhbllokimin euroatlantik dhe prosperitetin ekonomik. Maqedonia gjatë vitit 2018 është përballur edhe me sfida si: referendumi për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë, kriza politike, protesta, procese të shumta gjyqësore, arratisja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, e shumë zhvillime tjera.
“Kemi kaluar një vit shumë interesant në kuptimin pozitiv, vit të cilin Maqedonia nuk e ka përjetuar asnjëherë më parë. Momenti më i rëndësishëm është nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës për zgjidhjen e kontestit 27-vjeçar me Greqinë. Kjo marrëveshje na i hapi dyert dhe në vitin 2019 duhet të rrumbullakohet procesi i zbatimit të saj. Ky është momenti kryesor, pasi gjithçka tjetër në shoqërinë tonë është e lidhur me zgjidhjen e këtij kontesti”.