Maqedonia dhe Greqia në pikën zero në kontestin rreth emrit

Prishtinë | 27 Sht 2017 | 15:25 | Nga

Zgjidhja e kontestit më të madh që ka Maqedonia me shtetet fqinje, përkatësisht atij të çështjes së emrit që kontestohet nga Greqia, mbetet vetëm në deklarata politike, përderisa nuk ka ndonjë propozim konkret nga palët.

Ndërmjetësuesi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic ka paralajmëruar se nga fundi i këtij viti apo në fillim të vitit 2018 mund të ketë lëvizje nga pozicionet e të dyja palëve. Ky paralajmërim i tij, ishte përcjellë më pas nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev me deklaratën se nga mesi i vitit të ardhshëm mund të ketë ndonjë propozim konkret.

Por, shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocias ka thënë se kontesti nuk ka të bëjë vetëm me emrin, por edhe më çështjen e identitetin dhe të historisë, duke e kthyer kështu procesin në pikën zero.

Duke komentuar deklarimet e këtilla optimiste të palës maqedonase, por edhe ato të palës greke, njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se ky kontest vështirë se mund të ketë një zgjidhje të shpejtë.

Mersel Bilalli, profesor në Universitetin “Fon”, thotë për Radion Evropa e Lirë se pa një ndërhyrje serioze nga jashtë zgjidhje nuk mund të ketë. Ai thotë se do të ishte sukses sikur Maqedonia të merr ftesë për anëtarësim në NATO si dhe datën për nisjen e bisedimeve me BE-në për anëtarësim dhe këto procese të përfundojnë paralelisht me zgjidhjen e kontestit të emrit.

“Unë nuk jam i bindur se problemi është aq i thjesht. Besoj se ftesa për anëtarësim në NATO dhe një vendim për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, janë hapa të cilët do të ndodhin pa një zgjidhje përfundimtare të emrit, por me klauzola të cilat gjatë procesit të ratifikimit apo zhvillimit të bisedimeve do të mund të kemi zgjidhje përfundimtare të emrit, por në etapa të ndryshme”, thotë Bilalli.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Denko Malevski, thotë për Radion Evropa e Lirë se lëvizje mund të ketë, por vetëm pas një muaji apo pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, periudhë kjo që sipas tij është e ndjeshme për t’u hapur debati për çështjen e emrit.

“Duket të kalojnë zgjedhjet lokale që më lehtë të mund të hapet një debat për atë se çfarë do të ndodhë apo se çfarë duhet të bëjë Maqedonia për të arritur qëllimin e saj, anëtarësimin në NATO dhe BE. Qeveria nuk duhet të pres se çfarë do të bëjë Nimici, por edhe ajo duhet të punojë në arritjen e kompromisit, pasi ka kompromise të mira dhe të këqija dhe ajo duhet të angazhohet që të arrijë më të mirën e mundshme”, thotë Maleski.

Çështja e emrit po përdorën edhe nga partitë politikë në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale më 15 tetor me akuza mes partive se cila prej tyre ka bërë më shumë për interesat kombëtare. Kryeministri Zoran Zaev në vazhdimësi shpreh gatishmërinë për mbylljen e të gjitha çështjeve të hapura me fqinjët ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare akuzon për marrëveshje që dëmtojnë interesin kombëtar maqedon.

“Unë këtë e shoh vetëm se tek pjesa e shumicës qeveritare se ky segment afirmohet kurse sa i përket opozitës ajo vazhdon me akuzat për çështjet të cilat nuk janë bërë për 100 ditë e që vet nuk i ka bërë për 11 vjet”, thotë analisti Mersel Bilalli.

Çështja e emrit me Greqinë daton që nga pavarësia e Maqedonisë 27 vjet më parë. Athina kërkon nga Shkupi të ndryshojë emrin e saj dhe maqedonasit të mos pretendojnë se janë pasardhës të maqedonasve antik. Ky kontest ka bërë që Greqia ta bllokojë tash e disa vjet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme